Maqedoni
Publikimi i përgjimeve të paligjshme, PTHP - Kërçovë aktakuzë kundër “El Chekës”
25.06.2019 17:02
Prokuroria Themelore e Kërçovës ka ngritur aktakuzë kundër një personi....

Prokuroria Themelore e Kërçovës ka ngritur aktakuzë kundër një personi, i cili ka bërë vepër të vazhdueshme penale, “përgjim të paligjshëm dhe incizim tonik”, nga neni 151, paragrafi 2 i Kodit Penal.
“I pandehuri, në fund të muajit maj të këtij viti, në profilin në rrjetin social, duke u paraqitur si “El Cheka”, ka publikuar më shumë incizime tonike të bisedave të përgjuara telefonike për më shumë persona. Me këtë veprim, i pandehuri u mundësoi përdoruesve të rrjetit social dhe personave të tjerë të paautorizuar, të njihen me përmbajtjen e bisedave të përgjuara telefonike. Kohëve të fundit është shtuar dukuria e publikimit të paautorizuar të materialeve të përgjuara. Këtë dukuri, Prokuroria Themelore po e ndjek me vëmendje dhe do të veprojë në bazë të kompetencave të saj”,- thuhet në njoftimin për media të Prokurorisë Themelore Publike.
“El Cheka” u bë i njohur për opinionin pas publikimit në rrjetet sociale të bisedave të përgjuara të funksionarëve të lartë të BDI-së. Profilet e tij bllokohen vazhdimisht, megjithatë materialet e përgjuara në mënyrë ilegale vazhdojnë të publikohen në profile të reja e nga njerëz të ndryshëm. Por, Ligji është i qartë në këtë drejtim: Çdo publikim i përgjimeve të paligjshme është vepër penale, në pajtueshmëri me nenin 151, paragrafi 2 i Kodit Penal, në të cilin parashihet dënim me burg prej 1 deri në 5 vjet.
Kompetente për posedimin dhe hetimin e indicieve për vepra të mundshme penale nga këto materiale, që në vitin 2005, sipas Marrëveshjes së Përzhinës, e ka vetëm Prokuroria Speciale Publike, që u formua pikërisht për të hetuar rastet të cilat dolën nga përgjimet e paligjshme nga viti 2008-2015, të cilat i bëri publike për herë të parë lideri i opozitës së atëhershme, kryeministri aktual, Zoran Zaev. Pas formimit të PSP-së, këto materiale janë të ndaluara për publikim nga persona të tjerë.
FLORIJE BELULI KAMBERI
