Botë

Vendimi i Kolegjit zgjedhor, Meta: U mor nën kushte presioni e shantazhi

25.06.2019 17:21

Një ditë pasi Kolegji zgjedhor vendosi të rrëzojë anti-dekretin për zgjedhjet, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta....

Një ditë pasi Kolegji zgjedhor vendosi të rrëzojë anti-dekretin për zgjedhjet, presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e cilësoi këtë vendim të marrë nën shantazh dhe presion nga maxhoranca. Pyetjes nëse do ta shpërndajë parlamentin, Meta nuk iu përgjigj drejtpërdrejt, por tha se do të veprojë në interes të kombit.
 
“Vendimi u mor në kushtet e presionit dhe shantazhit. Mjafton të shikojmë fotot që keni botuar ju dhe duket. Shumë të trembur dukeshin. Kam bërë çdo veprim me përgjegjshmëri. Do t'i shërbej gjithmonë mbrojtjes së Republikës dhe interesave kombëtare. Ky institucion nuk i përket Ilir Metës, por Republikës, nuk do të bjerë kurrë, nga ky institucion do të fillojë ringritja e Republikës. Bashkë do të jemi këtu deri në 24 korrik të 2022”,- deklaroi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Rama: Meta mori peng procesin, bojkoti vetëvrasje
 
PS vazhdon takimet elektorale në prag të zgjedhjeve të së dielës. Kryeministri, Edi Rama, ka deklaruar se duhet t’i shkojë deri në fund nismës për shkarkimin e presidentit.
 
“Duhet çuar deri në fund ai proces, kjo është një hata kushtetuese dhe institucionale. Nuk ka shans të ndodhë që të merret peng procesi. Ne shikojmë një rënie të kuponëve, ka lidhje, pasi është atmosfera e paligjshmërisë dhe klima e krijuar që bjeri murit me kokë dhe shkel ligjin. Kush ka bojkotuar zgjedhjet e ka pësuar më pas. Ky lloj bojkoti është harakiri, vetëvrasje,- u shpreh kryeministri, Edi Rama.
 
Basha: Zgjedhje pa opozitën ka vetëm në Korenë e Veriut
 
Diplomatët e ShBA-së dhe BE-së në Tiranë janë takuar me kryetarin e PD-së, në kushtet e një situate mjaft të tensionuar politike vetëm 5 ditë para zgjedhjeve. Pas takimeve, kryetari demokrat shprehu njëherë vendosmërinë për të mos lejuar zgjedhje më 30 qershor.
 
“Në 30 qershor nuk ka zgjedhje. E para nuk ka zgjedhje pa opozitën, votime bën edhe Korea e Veriut. Është standard ndërkombëtar, proces zgjedhor pa opozitën nuk ka dhe nuk do të ketë, nuk do të lejohen, nuk do të pranohen, nuk do të njihen. Sot kemi ligjin e zbatueshëm që thotë se 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh. Çdo hap i Ramës, fushata, mitingje, takimet me administratën janë të paligjshme”,- tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
 
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndërkohë ka nisur shpërndarjen e materialeve zgjedhore në qytetet e largëta të Shqipërisë.
 
LULJETA NDOKA

Rama: Meta mori peng procesin, bojkoti vetëvrasje.