Maqedoni
Grubi dhe Dimkov do të zgjedhin punëtorët në DSK. Grubi refuzon pjesëmarrjen
25.06.2019 18:03
Deputetët, Artan Grubi dhe Trajko Dimkov, do të marrin pjesë në punën.....

Deputetët, Artan Grubi dhe Trajko Dimkov, do të marrin pjesë në punën e Komisionit për Zgjedhjen e Punëtorëve të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, i formuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pas konsultimit paraprak me partitë politike, Komisioni për Mbikëqyrje të Punës së DSK-së dhe Agjencisë për Zbulim, unanimisht zgjodhi këta dy deputetë për anëtarë të këtij trupi.
“Komisioni për Mbikëqyrje të Punës së DSK-së dhe Agjencisë për Zbulim konfirmoi propozimin që deputetët, Trajço Dimkov dhe Artan Grubi, të marrin pjesë në punën e Komisionit për Zgjedhje dhe sektim të punëtorëve në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim të formuar nga Qeveria”,- deklaroi kryetari i KMP-së së DSK-së dhe AZ-së, Trajko Veljanovski.
Mirëpo, pak orë pas zgjedhjes së tij në Komision, deputeti Grubi refuzoi pjesëmarrjen e tij në këtë Komision.
“Për shkak të vëllimit shumë të madh të obligimeve tjera, Ju njoftoj se nuk kam mundësi të marr pjesë në punën e këtij Komisioni”, – thotë Grubi.
Konform Ligjit për Agjencinë për Siguri Kombëtare, anëtarët e tjerë të Komisionit janë pjesë e të punësuarve në MPB dhe DSK-së. Komisionet për zgjedhjen e të punësuarve në Agjencinë dhe për përcaktimin e akteve të saj kanë për obligim që ta përfundojnë punën deri më 20 gusht, ndërsa Agjencia e Sigurisë do të fillojë me punë më 1 shtator.
“Punohet në drejtim të zgjedhjes së hapësirave. Ajo që mund të them është se Agjencia e re do të funksionojë jashtë ndërtesave të MPB-së”,- theksoi drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski.
Drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski, tha se Agjencia e re do të jetë transparente në lidhje me punën dhe e hapur për mediat. Ndërkaq, Komisioni për Mbikëqyrje të Punës së DSK-së dhe Agjencisë për Zbulim, për shkak të informatave të klasifikuara, e miratoi Raportin për punën e DSK-së dhe Agjencisë për Zbulim për vitin 2018, pas dyerve të mbyllura për opinionin.
SHPËTIM NUREDINI
