Maqedoni
“Një shoqëri për të gjithë”, Shekerinska: E mundshme nëse kontribuojmë të gjithë
25.06.2019 18:21
Suksesi i integrimit në NATO dhe BE nuk është i mjaftueshëm nëse nuk arrijmë të ofrojmë integrim brenda shtetit...

Suksesi i integrimit në NATO dhe BE nuk është i mjaftueshëm nëse nuk arrijmë të ofrojmë integrim brenda shtetit, i cili mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse qytetarët e pranojnë, tha ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, në konferencën “Një shoqëri për të gjithë”.
“Ky koncept nuk është koncept që mund ta rregullojmë me ligj. Korniza ligjore siguron mundësi për një shoqëri për të gjithë. Megjithatë, ky koncept mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse shumica e qytetarëve e pranon, e mbështet dhe kyçet”,- deklaroi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska.
Osmani: Duhet kultivuar edhe identiteti etnik
Për zëvendëskryeministrin, Bujar Osmani, në kuadër të konceptit “Një shoqëri për të gjithë”, veç identitetit individual, duhet kultivuar edhe identiteti etnik, të cilin e siguron MO.
“MO ka paraparë edhe kultivimin e identitetit etnik nëpërmjet mekanizmave të mbrojtjes nga majorizimi për shkak se në kushte kur të gjithë qytetarët janë me identitetet e tyre individual, atëherë shumica gjithmonë mbivoton pakicën në promovimin e vlerave të tyre dhe tani kjo nuk është problem kur keni qeveri të mirë, por cilat janë mekanizmat për t’i mbrojtur nesër nëse do të vijë një qeveri tjetër e cila nuk do t’i ketë në fokus apo prioritet interesat e komuniteteve tjera. Prandaj, identitetet etnike dhe mekanizmat për ruajtjen nga majorizimi ne duhet t’i respektojmë edhe në kuadër të konceptit ‘Një shoqëri për të gjithë’”,- tha zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani.
Popovski: Gjuha e urrejtjes, armik i madh i shoqërisë
Ministri për transparencë, Robert Popovski, veçoi gjuhën e urrejtjes si armikun kryesor të ndërtimit të një shoqërie për të gjithë, e për ta ndalur këtë gjuhë të urrejtjes, këtë kontribut të rëndësishëm duhet ta japin mediat.
“Jo vetëm servisi publik, por edhe mediat tjera dhe të gjithë ne duhet t’i kushtojmë vëmendje që ta eliminojmë këtë dukuri dhe gjithashtu përhapjen e lajmeve të rreme, që është segmenti i dytë kryesor që plotëson gjuhën e urrejtjes dhe kërcënon ambientin e një shoqërie normale”,- tha ministri për transparencë, Robert Popovski.
Europianizimi fillon nga secili prej nesh, ndërsa ndërtimi i vlerave brenda një shoqëri përbën kusht që të mundemi t’i respektojmë dhe kultivojmë vlerat e tilla në një bashkësi më të madhe shtetesh, kulturash dhe nacionalitetesh, nënvizuan nga Fondacioni “Shoqëri e hapur”. Konferenca ka përmbyllur ciklin e debateve që janë zhvilluar në 7 qytete brenda vendit në kudër të konceptit “Një shoqëri për të gjithë dhe ndërkulturalizmi”.
NAIM RAMADANI
