Maqedoni

Reformat në gjyqësor, Plomp: Zgjidhni sa më shpejt statusin e PSP-së

25.06.2019 18:28

Maqedonia e Veriut duhet të ketë shumë kujdes sa i përket shtetit të së drejtës dhe realizimit të reformave....

Maqedonia e Veriut duhet të ketë shumë kujdes sa i përket shtetit të së drejtës dhe realizimit të reformave, sepse këto kategori ndikojnë dukshëm në dhënien e datës për bisedime. Ambasadori i Holandës, Vauter Plomp, apelon që çështja e PSP-së të zgjidhet sa më shpejt dhe fton të gjithë faktorët vendimmarrës të kuptojnë peshën e PSP-së dhe të zgjidhin këtë probleme, para se të vendoset për fazën e mëtutjeshme të procesit integrues të vendit në muajin tetor në Këshillin e BE-së.
 
“Duhet të gjendet mënyrë efikase për integrimin e PSP-së në rendin e sistemit gjyqësor të shtetit dhe mendoj se duhet të ngrihet përgjegjësi për të gjitha rastet e korrupsionit, të kaluarat, të tashmet dhe të ardhshmet. Ekzistojnë arsye ligjore për shkak të të cilave për sjelljen e këtij ligji nevojitet 2/3 e votave dhe për këtë arsye u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë, qeverisë,  opozitës, të jenë efikas në këtë pjesë dhe ta kuptojnë rëndësinë e kësaj çështje nëse duan që Republika e Maqedonisë së Veriut në mënyrë të suksesshme të integrohet në BE”,- tha ambasadori i Holandës, Vauter Plomp.
 
Anëtarësimi në NATO, Stoltenberg optimist për Samitin e Londrës
 
Derisa vendi pret fillimin e bisedimeve për në BE, vazhdon ratifikimi i protokollit për aderim nga vendet e NATO-s. Sekretari i përgjithshëm i paktit veriatlantik, Jens Stoltenberg, shpreson se në Samitin e Londrës do të kurorëzohet plotfuqishmëria e Maqedonisë së Veriut  në Aleancën Veriatlantike.
 
“Do të ishte punë e shkëlqyeshme nëse kjo e tëra mbaron në dhjetor, në Samitin e Londrës, por nëse nuk ndodh, atëherë kjo do të bëhet shpejt. Maqedonia e Veriut i ka plotësuar të gjitha standardet e NATO-s”,- theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenber.
 
Hungaria ndërkohë ratifikoi protokollin për aderimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, duke u bërë kështu shteti i 19 i radhës. Maqedonia e Veriut do të zë karrigen e 30 të plotfuqishme në Aleancë, pasi të mbarojnë procedurat protokollare në  të gjitha parlamentet kombëtare të vendeve të NATO-s.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU