Maqedoni

Ndryshimet në qeveri, Shekerinska: Theksin e vëmë te ekonomia

25.06.2019 18:32

Propozimet e Qeverisë dhe të kryeministrit, Zoran Zaev, për ministra të rinj....

Propozimet e Qeverisë dhe të kryeministrit, Zoran Zaev, për ministra të rinj, pritet të hyjnë në seancë parlamentare të mërkurën. Nga LSDM thonë se këto propozime janë të definuara dhe nuk shohin asgjë të habitshme në faktin që kryeministri të mbajë dy pozita në ekzekutiv, pasi praktika të tilla ka edhe në vendet më të zhvilluara të botës.
 
“Në situatë kur kemi treguar rezultate në planin euro-integrues, bëhemi anëtare e NATO-s dhe i fillojmë bisedimet për anëtarësim, porosia të cilën e morëm nga qytetarët ishte se tani na duhen rezultate në ekonomi. Prandaj edhe ky vendim i kryeministrit është përgjigje e kërkesës së qytetarëve, se tani fokusi kryesor i Qeverisë dhe i kryeministrit do të jetë ekonomia”,- deklaroi nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shekerinska.
 
VMRO-DPMNE: Asnjë rezultat nuk presim nga kjo qeveri
 
Nga VMRO-DPMNE këmbëngulin se asnjë rezultat nuk do të shihet nga qytetarët deri sa në krye të qeverisë qëndron Zaev.
 
“Me këtë Qeveri nuk ka perspektivë dhe suksese, apo më mirë të themi thjesht kemi Qeveri e cila punon vetëm për interesat e saj personale. Tani është e qartë se Maqedonia ka kartel kriminal në krye me kryeministrin Zaev, një udhëheqje të paaftë dhe gënjeshtare, e cila nuk ka kapacitet të bëjë diçka për qytetarët, të realizojë reformat e kërkuara dhe të na ofrojë drejt aspiratave tona euroatlantike”,- tha Ane Lashkoska nga VMRO-DPMNE.
 
Opozita pritet të mërkurën të dalë me vërejtjet e saj ndaj ndryshimeve në ekzekutiv. Edhe nga RDK kanë potencuar tashmë se do të japin vlerësimin e tyre kundër shkarkimit të ministrit, Suhej Fazliu, në ditën që propozimi me emrat e rinj do të vihet në seancë plenare.
 
FITIM KRYEZIU