Erdogan zbulon kur do të pranojë Turqia sistemi raketor S-400

26.06.2019 10:49

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan....

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan mbrëmë në Ankara ka shpalosur detale lidhur me sistemin mbrojtës raketor rus S-400, ai ka thënë se Turqia do të pajiset me këtë sistem muajin që vjen.

“Lidhur me furnizimin tonë për sistemin raketor rus “S-400”, është direkt i lidhur me pavarësinë tonë dhe nga kjo nuk heqim dorë. Me dëshirë të Zotit, muajin e ardhshëm do të furnizohemi me sistemin raketor rus S-400. Për ti përmbushur nevojat e tona të sigurisë, Turqisë nuk i nevojitet presion por as leje nga askush” - ka porositur Erdogan.

Presidenti turk ka porositur se do ti përdorë marrëdhëniet e mira me Presidentin Amerikan, Donald Tramp, për të evituar tensionet midis dy vendeve. Pritet që Tramp dhe Erdogan të takohen në suaza të samitit të G-20 në Osaka të Japonisë.

SHBA-të i kanë dhënë afat Turqisë deri më 31 korrik që të tërhiqen nga blerja e sistemit mbrojtës raketor rus “S-400”, ose në të kundërtën do të përballen me sanksione.

SHBA-të gjithashtu kishin porositur  Turqinë se nëse nuk tërhiqen nga blerja e sistemit raketor rus, të njëjtët do të tërhiqen nga programa për zhvillim të avionit luftarak amerikan F-35, që do të thotë edhe pse Turqia ka marrë pjesë aktive dhe financiare në zhvillimin e avionit, aviacioni turk nuk do të mund ti gëzoj këta avionë luftarak amerikan.

Turqia kishte planifikuar të blejë një numër të madh të avionëve amerikan luftarak F-35 nga SHBA-të, ndërsa parashiheshin edhe marrëveshje të mëdha me kompani amerikane për mirëmbajtje të avionëve luftarak të cilët do të eksportoheshin në Turqi dhe do të pajiseshin me pjesë rezerve për atë avion, mirëpo e gjithë kjo do të rrënohet.