Dimitrov takoi Soreide, biseduan rëndësinë e datës për negociata

26.06.2019 12:16

Ministrja e Punëve të Jashtme e Norvegjisë, Ine Soreide....

Ministrja e Punëve të Jashtme e Norvegjisë, Ine Soreide, e cila po qëndron për vizitë pune në Maqedoninë e Veriut, takoi ministrin e Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov. Soreide dhe Dimitrov biseduan për anëtarësimin e plotfuqishëm të vendit në Aleancën Veriatlantike, si dhe për dinamikën e zhvillimit të marrëdhënieve dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Norvegjisë.

“Biseduam për rajonin, për marrëdhëniet bilaterale, falënderojmë për mbështetjen e Norvegjisë. E kam informuar se deri ku jemi me reformat, ku është fokusi ynë dhe për pritjet tona. Biseduam edhe për gjendjen në rajon dhe rëndësinë që vendi ynë të marrë datë për fillim të negociatave”,- deklaroi pas takimit ministri i jashtëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov. Shefja e diplomacisë norvegjeze gjatë kohës së qëndrimit të saj do të takohet edhe me kryeministrin, Zoran Zaev.