Dimitrov: Me Bullgarinë do të gjejmë zgjidhje për historinë

26.06.2019 14:47

Ministri i jashtëm, Dimitrov, nuk pret që Bullgaria t’i shkaktojë probleme vendit tonë në anëtarësimin në BE....

Ministri i jashtëm, Dimitrov, nuk pret që Bullgaria t’i shkaktojë probleme vendit tonë në anëtarësimin në BE për shkak të figurës së Goce Dellçevit. Në pyetjet e gazetarëve pas takimit me homologen norvegjeze, Ina Soreide, Dimitrov tha se integrimi evropian i Maqedonisë së Veriut është me rëndësi për të gjithë dhe premton se me Bullgarinë do të gjejnë zgjidhje për historinë me dialog dhe  me marrëveshje, dhe pret që suksesi që vendi ka arritur të përforcohet me vendimin politik për fillimin e bisedimeve në tetor. 
 
“Jam i sigurt se me Bullgarinë ndajmë qëllime të përbashkëta. Si fqinj që nënshkruan marrëveshje për shoqëri, që prek edhe shumë çështje delikate dhe emotive për të dyja shtetet në kuptim të historisë, jam i sigurt se do të gjejmë respekt të dyanshëm në mënyrë që mos t’i rrezikojmë qëllimet e rëndësishme”,- tha ministri i jashtëm, Nikolla Dimitrov.
 
Soreide: Interesi i BE-së të integrojë të gjitha shtetet
 
Edhe pse Norvegjia nuk është anëtare e BE-së, do t'i ndihmojë vendit tonë në rrugën e saj euro-integruese, tha ministrja e jashtme e Norvegjisë, Ine Soreide. 
 
“Fokusohemi kryesisht në projektet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, krijimin e punësimeve të reja për të rinjtë, bashkëpunim rajonal, po ashtu edhe në ndihmën për procesin qasës në NATO dhe BE. Mendoj se është në interes të Evropës t'i integrojë të gjitha shtetet, pa marrë parasysh me çfarë lloj pakti, si partnere, apo anëtare fuqiplote”,- tha ministrja e jashtme e Norvegjisë, Ine Soreide.
 
Ministrja norvegjeze është takuar edhe me kryeministrin, Zoran Zaev, dhe me zëvendëskryeministrin për euro-integrime, Bujar Osmanin.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU