Angjushev: Probleme u detektuan, presim rritje të investimeve kapitale

26.06.2019 16:16

Edhe pse realizimi i investimeve kapitale për 5 muajt e parë të vitit....

Edhe pse realizimi i investimeve kapitale për 5 muajt e parë të vitit ishte në nivel të dobët prej 13.7%, zëvendëskryeministri Angjushev është i bindur se gjendja do të ndryshoje në gjysmën tjetër të vitit. Sipas tij, janë bërë analizat e duhura dhe problemet janë detektuar. Gjatë muajve të ardhshëm mbetet që të rritet intensiteti i realizimit të investimeve kapitale.

“Problemi është detektuar. Absolutisht po punohet intensivisht në rritjen e nivelit të investimeve kapitale. Deri në fund të korrikut do të kemi fotografi më konkrete për investimet kapitale, por besoj që në gjysmën tjetër të vitit të rriten. Se sa do të jetë përqindja e realizimit të investimeve kapitale do të varet edhe nga rebalanci i buxhetit, por sigurisht se do të jetë më shumë se vitin e kaluar”,- tha zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

AUTOSTRADA KËRÇOVË - OHËR, ANGJUSHEV: BISEDOJMË PËR KREDITIMIN, RIFILLOJMË SË SHPEJTI

Premton zgjidhje edhe për problemin e autostradës Kërçovë – Ohër, një nga investimet rrugore më të mëdha, që është larg përfundimit, edhe pse duhet të ishte në përdorim që nga janari. Angjushev thotë se po bisedohet në lidhje me kreditimin dhe shumë shpejt do të nisin punimet intensive.

“Janë zgjidhur problemet teknike, janë kursyer 90 milion euro. Duhet të vazhdohet kreditimi. Për momentin është ndalur dhe po bisedohet”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.

Afati i përfundimit tashmë është prolonguar me aneks për 3 vite deri nga mesi i vitit 2021. Ndërtimi është tërësisht i ngadalësuar për shkak të gabimeve të mëdha në projektimin, për të cilat Qeveria i fajëson paraardhësit. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)