Maqedoni
Vesel Memedi dorëzon mandatin, RDK tërheq të gjithë drejtorët nga ekzekutivi
26.06.2019 17:42
Pakënaqësitë e njërit prej partnerëve të koalicionit, pas vendimit të kryeministrit për t’ia marrë ministrinë e pushtetit lokal.....

Pakënaqësitë e njërit prej partnerëve të koalicionit, pas vendimit të kryeministrit për t’ia marrë ministrinë e pushtetit lokal, do t’i kushtojnë ekzekutivit jo vetëm ministrin e shkarkuar, Suhejl Fazliun, por edhe drejtorët e drejtorive që udhëhiqeshin nga kuadrot e RDK-së. Kreu i saj, Vesel Memedi, paralajmëroi dorëheqjen edhe nga posti i zëvendëskryetarit të parlamentit dhe heqjen dorë madje edhe nga mandati i deputetit. Memedi akuzon kryeministrin se po bën pazare me partitë e vogla dhe me aktivistë maqedonas, si Kire Partallov, në kurriz të ministrive të cilat tradicionalisht kanë qenë nën udhëheqjen e kuadrove shqiptare.
“Do të dorëzojmë dorëheqjet tona të parevokueshme nga të gjitha drejtoritë dhe këshillat drejtues të alokuara dhe kulminacioni i kësaj vlere sublime është tërheqja ime nga pozita e nënkryetarit të Kuvendit, si dhe dorëzimin e mandatit të deputetit në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut. Si duket loja ishte menduar mirë, që me një plumb të vriten dy qëllime, njëri ishte që me shkarkim të ekzekutohet publikisht ministri Suhejl Fazliu dhe qëllimi i dytë ishte një marrëveshje e fshehur për dorëzim të ministrisë që ju ka takuar gjithmonë shqiptarëve, t’i dorëzohet palës maqedonase, por duhet të ekzekutohej nga dora ime”,- tha kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.
Akuza për mosfunksionimin e punëve në qeveri dha edhe zëvendësministri i arsimit që u dorëhoq ditë më parë.
Pakënaqësitë e partnerëve në Qeveri, Hoxha: U takon liderëve t’i diskutojnë e tejkalojnë
Qeveria ndërkohë nuk komenton rreth pakënaqësive të partnerëve të koalicionit. Zëdhënësi Hoxha u thotë liderëve partiakë që t’i tejkalojnë këto pakënaqësi.
“Pakënaqësitë të cilat ekzistojnë në kuadër të partnerëve të koalicionit është çështje të cilën partitë politike të cilat formojnë shumicën qeveritare, t’i diskutojnë në mes vete dhe kjo çështje është në mes dialogut që kryeministri dhe partitë politike i zhvillojnë në kuadër të shumicës qeveritare, dhe përgjigjen më së miri do ta japin edhe partitë të cilat deri më tani janë pjesë e shumicës”,- u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha.
Moskoordinimet mes partnerëve dhe pakënaqësitë që kaq kohë përfliten në opinion, nga VMRO-ja opozitare janë shfrytëzuar në vazhdimësi për të akuzuar qeverinë se është e paaftë të funksionojë, akuza këto ndaj të cilave partia më e madhe në qeveri i kundërpërgjigjej se VMRO-së i janë bërë therë në sy rezultatet e ekzekutivit.
FITIM KRYEZIU
