Botë

Kushtet e fëmijëve migrantë në ShBA, 250 të mitur pa higjienë në qendrat pritëse

26.06.2019 18:17

Mbi 250 fëmijë emigrantë jetojnë në kushte mizore në kampet pranuese në ShBA....

Në plot raste, vetë fëmijët kujdeseshin për fëmijët e tjerë, kushtet sanitare ishin nën-standardet e duhura, të miturit ishin të sëmurë, jetonin me rroba të palara e ushqeheshin me ushqime të prishura. Më shumë se 100 fëmijë emigrantë janë kthyer në një stacion kufitar në Teksas vetëm një ditë pasi u transferuan, thonë zyrtarët e kufirit të ShBA-së.
 
“Shumica e këtyre fëmijëve nuk kanë kontakt me ujin, në vete kanë rroba të ndyra me të cilat kanë kaluar dhe kufirin”,- tha një zyrtare e ShBA-së.
 
Zbulimi i kësaj të dhëne tronditëse ka detyruar drejtorin e Agjencisë për Mbrojtjen e Doganave dhe Kufijve, John Sanders, të japë dorëheqjen.
 
“Çdoherë ka sfida, ne çdoherë mundohemi që të bëjmë më të mirën, por nuk është e vërtetë se ka problem sistematik. Faktet thonë gjë tjetër”,- theksoi drejtori në dorëheqje në AMDK, John Sanders.
 
Presidenti Trump planifikon ta zëvendësojë atë me Mark Morganin, përkrahës i idesë për ndërtimin e murit me Meksikën dhe përgjegjës për patrullat kufitare gjatë mandatit të Barack Obamës.
 
“Unë nuk kam folur me atë personalisht, por e di që njerëz të aftë punojnë aty . Tani gjendja është më e mirë dhe shumica e fëmijëve vijnë nga vende që ju nuk do të donit ta dinit se nga vijnë”,- tha presidenti i ShBA-ve, Donald Trump.
 
Për zgjidhjen e problemit me migrantët në kufirin me Meksikën, dhoma e përfaqësuesve miratoi buxhet prej 4 miliardë dollarësh amerikane. Presidenti Tramp ka kërcënuar me veto.
 
“Familjet duhet të jenë së bashku. Për momentin fëmijë të vegjël përjetojnë trauma dhe frikë të madhe. Shumica jetojnë në kushte të rënda, bëjnë gjumë në dysheme pa batanie dhe pa ushqim. Fëmijë 8 dhe 9 vjeçar kujdesen për fëmijët e porsalindur, pasi që nuk  ka person që kujdeset për ata”,- theksoi një zyrtare e ShBA-së. 
 
Viktimat më reja të karavanit të migrantëve në Amerikën Qendrore janë një burrë me vajzën e tij 2-vjeçare që janë ngulfatur në ujërat e Rio Grandes në kufi me ShBA-në. 
 
GAZMEND REXHEPI