Botë

Shqipëri, K. i Europës nuk dërgon vëzhgues, Basha: U distancua nga zgjedhjet e paligjshme

26.06.2019 18:35

Kur kanë ngelur vetëm 4 ditë deri në zgjedhjet e 30 qershorit, Këshilli i Europës....

Kur kanë ngelur vetëm 4 ditë deri në zgjedhjet e 30 qershorit, Këshilli i Europës ka vendosur të mos dërgojë në Shqipëri një delegacion vëzhgues zgjedhjesh. Kjo për shkak të rreziqeve të mundshme për sigurinë në disa zona të caktuara. Anulimin e vizitës ia kanë bërë të ditur autoriteteve shqiptare me anë të një e-maili. Pas këtij vendimi ka reaguar kryetari i PD-së, Lulzim Basha, sipas të cilit, “Bota perëndimore e dha sinjalin e parë që 30 qershori nuk është ditë zgjedhjesh në Shqipëri”.
 
“Është një vendim qartësisht politik, sepse është një tërheqje që Këshilli i Europës nuk e ka bërë as për zgjedhje të zhvilluara në zona konfliktesh të armatosura apo konflikti civil nga Ukraina në Gjeorgji, nga Armenia dhe Azerbajxhani, apo edhe gjatë konfliktit të armatosur në Maqedoni. Këtë vendim Këshilli i Europës e ka marrë jo sepse ia ka kërkuar opozita, por sepse 30 qershori nuk është ligjërisht ditë zgjedhjesh në Shqipëri”,- deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
 
 Rama: Pres të dalë në shesh gënjeshtra e Bashës
 
Nëpërmjet një statusi në rrjetet sociale, kryeministri, Edi Rama, e quajti deklaratën e Bashës sajesë.
 
“Po si mund t’u thuash shqiptarëve Këshilli i Europës mori vendim politik për t’u tërhequr nga zgjedhjet se janë të paligjshme? Tani mezi pres çfarë do thuash kur të dalë rrena në shesh. Apo rrena tjetër gati?”,- shkruan shefi i Qeverisë shqiptare në Twitter.
 
Ndërkohë, Komisioni i Ligjeve ka miratuar në seancën e sotme ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e presidentit, Ilir Meta. Raporti do t’i përcillet për miratim parlamentit, më 4 korrik.
 
LULJETA NDOKA