Botë
ShBA, kandidatët demokratë për president zhvillojnë debatin e parë
27.06.2019 12:23
Kandidatët demokratë për president të Shteteve të Bashkuara kanë qenë pjesë e debatit të parë televiziv, gati 16 muaj para se amerikanët të votojnë....

Në debatin e 26 qershorit kanë marrë pjesë 10 demokratë, që synojnë të parandalojnë fitoren e Donald Trumpit si president i SHBA-së, për një mandat të dytë. Në total, 24 persona po garojnë për të fituar nominimin e Partisë Demokratike në mënyrë që ta sfidojnë Trumpin, që nënkupton se organizatorët e debatit janë detyruar të planifikojnë dy netë për këto diskutime, ashtu që të gjithë kandidatët të jenë pjesëmarrës.
Debati i parë është fokusuar në çështjet e brendshme të SHBA-së: ekonomi, vende pune, sigurim shëndetësor dhe imigrim. Tensionet me Iranin janë përmendur shumë pak, dhe shumica e kandidatëve kanë thënë se ata do të mbështesnin marrëveshjen bërthamore, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore më 2015, por nga e cila SHBA-ja është larguar një vit më parë.
Fushata për zgjedhjet e vitit 2020, pritet të jetë një nga organizimet më të shtrenjta dhe më të ashpra në historinë e zgjedhjeve amerikane. Një gjë e tillë është thënë të jetë reflektim i politikave të Trumpit, gjatë udhëheqësisë së tij.
Në mesin e kandidatëve të mirënjohur janë, Joe Biden, i cili ka mbajtur pozitën e nën-kryetarit të Shtetit gjatë udhëheqësisë së ish-presidentit, Barack Obama dhe Bernie Sanders, senator amerikan, që ka qenë pjesë e fushatës së vitit 2016 për president, mirëpo është mposhtur nga Hillary Clinton. Garues tjerë janë edhe, senatorja amerikane, Elizabeth Warren, dhe senatorja tjetër, Kamala Harris.
Trump në anën tjetër deri më tash ka vetëm një kundërkandidat në radhët e republikanëve: një ish-guvernator shteti.
