Botë
Përcëllohet Europa, të premten temperatura në Spanjë 45 gradë celsius
27.06.2019 13:49
Në Europë janë shënuar temperaturat më të larta për muajin qershor.....

Vala e të nxehtit pritet të intensifikohet më tej, pasi në Gjermani, Poloni dhe Republikën Çeke u regjistruan temperatura tepër të larta të matura viteve të fundit në këtë muaj.
Edhe në Francë dhe Zvicër, termometri i kaloi 40 gradët. Madje edhe në Alpe, temperaturat kanë mbërritur në disa vende në mbi 30 gradë, një gjë e pazakontë kjo. Zyrtarët francezë kanë lëshuar paralajmërime të rrepta rreth rrezikut për jetën. Pretendimeve se qeveria po e ekzagjeron situatën, autoritetet ju përgjigjën se shqetësimi është real, e për të vërtetuar se nuk po bëjnë shaka autoritetet në Francë kanë nisur fushatë për shpërndarjen e ujit për t’u ardhur në ndihmë njerëzve.
E gjithë kjo nxehtësi është pasojë e frontit jashtëzakonisht të nxehtë nga Afrika Veriore. E ky front përvëlues, pritet ta rrisë temperaturën të premten në disa pjesë të Spanjës verilindore, në 45 gradë celsius. Në vendin tonë gjatë fundjavës pritet një rënie e lehtë e temperaturave ndërkohë që korriku sipas sinoptikanëve, do të sjellë temperaturat mbi 40 gradë Celsius.
VLORA LATIFI TOPOJANI
