Maqedoni
Dimovski: Në “Shoqëri për të gjithë”, anashkalohen shqiptarët
27.06.2019 15:13
VMRO-DPMNE ka akuzuar qeverinë se deklarativisht angazhohet për “Një shoqëri për të gjithë”....

VMRO-DPMNE ka akuzuar qeverinë se deklarativisht angazhohet për “Një shoqëri për të gjithë”, por në praktikë vazhdon të anashkalojë shqiptarët në projektet infrastrukturore. Madje, deputeti, Ilija Dimovski, akuzoi edhe policinë se ka standarde të dyfishta gjatë punës së saj, që varen nga përkatësia etnike e atyre që arrestohen.
“Rruga ekspres për Radovish po ndërtohet me tempo të shpejtë, por kur vjen fjala për autostradën Shkup-Bllacë, tre vite nuk kemi lëvizur asnjë gur. Për banorët e Strumicës mundet të ketë rrugë ekspres, po për Bllacën nuk mundet të ndërtohet autostrada. Pa ndërprerë përmendni konceptin e një shoqërie për të gjithë, nuk shihet kjo në vepër. Lexova një status në facebook ku shkruante “Nëse prodhimi jolegal i duhanit duhet të zgjidhet me Polici Speciale, atëherë pse edhe prodhimi jolegal i rakisë nuk zgjidhet me Polici Speciale”. Ku mbeti shoqëria për të gjithë? Apo për shqiptarët e Lubotenit vlejnë tjera ligje, e për maqedonasit e Velesit dhe qyteteve tjera ligje tjera?”,- tha Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Zaev: Deklarata hipokrite, punojmë njësoj për të gjithë
Këtë deklaratë kryeministri Zaev i vlerësoi si hipokrizi. Rruga e Bllacës kaq vite nuk u ndërtua nga VMRO, por tani ne e kemi vënë si prioritet. Edhe për aksionin e policisë financiare në Luboten, Zaev sqaroi se nuk bëhet fjalë për prodhim ilegal apo legal të duhanit, por aksioni ka qenë kundër trafikimit të duhanit në të cilin, sipas tij, janë të involvuar edhe struktura nga administrata publike.
“Lufta kundër krimit duhet të zhvillohet dhe nuk ka aspak dallim se a është në territorin e Strumicës apo rajonin e Karadakut. Para një kohe është arrestuar për trafikim kryetari i Novosellës, i cili njëkohësisht është miku im. Është e pandershme të bëhet paralele mes rrugës Shtip - Radovish dhe autostradës Shkup – Bllacë. Për këtë të fundit nuk ka pasur asnjë projekt. Po bëhet projekt i ri dhe unë besoj që në korrik do të shpallet tenderi për pjesën e parë. Paratë janë siguruar nga BERZh”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Autostrada Shkup – Bllacë, që pritet të lidhet me autostradën Arbër Xhaferi dhe përmes saj edhe me Rrugën e Kombit, parashihet të ketë 4 tunele dhe 9 ura.
BELINDA KOKA ADEMI
