Maqedoni

Hungaria refuzon ekstradimin, Gruevski feston me status kundër qeverisë

27.06.2019 15:46

Mëngjesin e së enjtes, ish kryeministri, Nikolla Gruevski, u paraqit me pranga në gjykatë në Hungari, për të dalë më pas si njeri i lirë....

Gjykata refuzoi kërkesën për ekstradim të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, mbështetur në ligjet hungareze që pamundësojnë ekstradimin në vendin e origjinës të personit që ka fituar azil politik. Seanca u mbajt pas dyerve të mbyllura, pas daljes nga salla Gruevski nuk dha asnjë deklaratë, megjithatë nuk mungoi statusi në rrjetet sociale, në të njëjtin vend ku lajmëroi edhe më herët qeverinë se ishte arratisur e të mos lodheshin ta kërkonin.
  
“U realizua një procedurë e rregullt e institucioneve hungareze, pasi qeveria e kriminalizuar dhe ushtruese e reketit në Maqedoni, dërgoi kërkesë për ekstradimin tim. Gjykata e shqyrtoi kërkesën për ekstradim dhe vendosi të mos e pranojë të njëjtën”,- tha Nikolla Gruevski.  
 
Kostandinov: VMRO–DPMNE ende koordinohet nga Gruevski
 
Ka qenë i menjëhershëm reagimi i LSDM-së pas këtij vendimi. Deputeti Kostandinov përkujtoi kolegët e tij nga opozita të mos shpresojnë se ndonjëherë do të kthehen në pushtet nëse nuk distancohen paraprakisht nga ish kryetari i tyre.
 
“Përderisa nuk distancoheni nga ky njeri, i cili akoma u jep koordinata se nga lëvizni dhe çka të flisni, përmes syve dhe gojës së tij të cilat quhen Hristian Mickovski, nuk do të vini në qeveri. Qytetarët nuk duan të shohin përsëri një VMRO-DPMNE e cila do të jetë kryeredaktor i lajmeve në televizionet, edhe policë në MPB edhe gjykatës i parë i cili do të montonte procese gjyqësore, të jeni të sigurt se qytetarët nuk do ta lejojnë edhe njëherë atë”,- tha deputeti i LSDM-së, Konstandin Konstandinov.
 
Ish kryeministri, Nikolla Gruevski, është shpallur fajtor në rastin “Tanku” për keqpërdorimet dhe ndikimin në blerjen e Mercedesit luksoz prej 600 mijë euro, për të cilin është dënuar tashmë me dy vite burg si dhe për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend, ku dyshohet si organizator. 
 
FITIM KRYEZIU