Maqedoni

Dorëheqja e Vesel Memedit, Sela: U rregullua një padrejtësi

27.06.2019 16:27

Pas dorëzimit të mandatit të deputetit nga kryetari i RDK-së, Vesel Memedi.....

Pas dorëzimit të mandatit të deputetit nga kryetari i RDK-së, Vesel Memedi, vendin e tij pritet që ta plotësojë Arta Toçi, që në listën e deputetëve ndodhet si kuadër i ASh-së. Kreu i Aleancës,  Ziadin Sela, vlerëson se me dorëheqjen e tij u rregullua një padrejtësi që iu bë koalicionit të ASh-së në zgjedhjet e vitit 2016. Ai pret forcimin e pozicionit politik të tyre në kuvend.
 
“Postin e deputetit ia ka dhënë populli me votë në vitin 2016 dhe nuk kemi se si i ikim verdiktit të shprehur nga ana e popullit. Veprimin e Vesel Memedit nuk kam pse e komentoj, por thjesht ai dha dorëheqje, mandati i tij ishte mandat i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe në një farë forme po rregullohet një farë padrejtësie e bërë me vetë faktin që ia ktheu shpinën këtij koalicioni. Numri sa më i madh i  deputetëve të ASh-së forcon pozicionin politik të ASh-së për rezultat të opozitës shqiptare dhe natyrisht ne mund të jemi më efikas në punën tonë këtu në parlament”,- tha kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
Grubi: Hap i shpejtuar, iu ofrua një ministri tjetër
 
Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, dorëheqjen e Memedit e cilëson si një hap të shpejtuar.
 
“Shpresoj se z. Memedi sot do ta shqyrtojë pozitën e tij dhe do të bëjë një vlerësim të duhur, të bëhet pjesë e vazhdueshme e reformave të cilat i kemi ndërmarrë dhe bashkërisht ta përfundojmë këtë mandat duke përkrahur njëri-tjetrin, duke qenë pjesë e shumicës parlamentare, por pjesë edhe e shumicës qeverisëse. Me sa e mora vesh, dje, z. Memedit, partisë së tij, i është ofruar një post ministri në vend të z. Shapuriq dhe shpresoj se pas reflektimit që mund ta kenë bërë në parti, ata ta pranojnë këtë ofertë nga kryeministri dhe t’i bashkëngjiten sërish shumicës parlamentare”,- tha Artan Grubi nga BDI.
 
Pas rikonstruimit të qeverisë, ku u shkarkua ministri i Pushtetit Lokal, Suhejl Fazliu, kreu RDK-së, Memedi, dorëzoi mandatin e deputetit dhe paralajmëroi dorëheqjet e të gjithë drejtorëve të emëruar nga partia e tij. 
 
NAIM RAMADANI