Maqedoni
Të drejtat e komunitetit LGBT, “duhet ende punë për të tejkaluar paragjykimet”
27.06.2019 16:49
Pas miratimit të Ligjit kundër diskriminimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi...

Pas miratimit të Ligjit kundër diskriminimit dhe mbrojtjes nga diskriminimi, për herë të parë institucionet shtetërore organizuan një konferencë të përbashkët me përfaqësues të komunitetit LGBT, të mbështetur nga Këshilli i Europës. Nga Asociacioni “Era” e kanë cilësuar historik këtë moment. Ata ankohen se pjesëtarët e komunitetit LGBT paragjykohen, madje edhe ka raste kur sulmohen.
“Ne në çdo hap jemi të sulmuar, ne si njerëz të komunitetit LGBT jemi gjithë kohës të fshehur, nuk mund të jemi të lirë si gjithë njerëzit e tjerë”,- tha Biljana Goneva nga “Era”.
Ministrja Carovska tha se po punohet për strategjinë e kapërcimit të homofobisë dhe transfobisë. Përfaqësuesit e Këshillit Evropian theksuan se duhet më shumë punë për të kapërcyer paragjykimet.
“Ne mund të sjellim ndryshime pozitive vetëm së bashku, sepse secili prej nesh ka një rol dhe një përgjegjësi shoqërore. Si rezultat i kësaj konference, ne do të kemi një plan veprimi për promovimin e të drejtave të LGBT-së në nivel kombëtar dhe rajonal, të cilat do të mund t’i përdorim më tej për miratimin e strategjisë për kapërcimin e homofobisë dhe transfobisë”,- deklaroi ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska.
“Shoh progres pozitiv në 25 vendet anëtare, por ky progres është i brishtë dhe ne nuk mendojmë se kemi fituar betejën. Me faktin se kemi tre ministra të konferencave që punojnë për të promovuar të drejtat e LGBT-së, kemi arritur shumë, por shoqëria po reziston dhe gjithashtu udhëheqësit fetarë që përpiqen të vendosin bindjet fetare. Këto bindje nuk duhet gjithmonë të pranohen”,- tha përfaqësuesja e Këshillit të Europës, Eleni Ceceku.
Tashmë në vend është angazhuar edhe specialist nga Serbia për ndërrimin e gjinisë, operacion ky që tashmë do të mbulohet nga Fondi Shëndetësor.
“Bëhet fjalë për një mjek eminent nga Serbia, deri më tani pacientët kanë paguar privat dhe tani gjithçka mund të bëhet nëpërmjet fondit”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Miratimi i ligjit kundër diskriminimit është harmonizuar me direktivat e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Të shtunën në Shkup mbahet edhe “Parada e krenarisë” kundër diskriminimit seksual, e para e këtij lloji në vendin tonë.
REJHANE BUSHI METAJ
