Maqedoni

GREKO: 23 rekomandime për ekzekutivin dhe MPB-në

27.06.2019 17:08

Korrupsioni dhe integriteti i bartësve të pushtetit ekzekutiv kanë qenë pjesa kryesore e rekomandimeve

Korrupsioni dhe integriteti i bartësve të pushtetit ekzekutiv kanë qenë pjesa kryesore e rekomandimeve në rrethin e pestë të grupit të shteteve kundër korrupsionit (GREKO). Nga gjithsej 23 rekomandime, 9 i referohen kodit etik të punës së ekzekutivit, ndërsa 14 rekomandime shkojnë në adresë të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Kërkojnë ndryshimin e kodit etik të punës së ministrave, si dhe transparencë buxhetore, sidomos në MPB, thotë shefja e delegacionit të RVM-së, në GREKO. 
 
“Rekomandimet e GREKO-s i referohen asaj se qeveria duhet të sjell kodeks të ri etik, apo ta ndryshojë kodin etik aktual për ministra dhe persona të emëruar nga qeveria, ku qeveria do të parasheh sanksione për ministrat të cilët nuk do ta respektojnë kodin etik. E njëjta vlen edhe për nëpunësit policorë. GREKO kërkon të revidohet edhe kodi etik për nëpunësit policorë. GREKO gjithashtu insiston në trajnime të shpeshta që duhet t’i realizojë Komisioni Shtetëror për Antikorrupsion, për ministrat dhe policët, për atë se çka nënkupton sjellje etike, integritet dhe çka do të thotë të pengohet konflikti i interesit”,- deklaroi shefja e delegacionit të RMV-së në GREKO, Ana Doneva Pavlovska.
 
Vlerësimi i GREKO-s në këto fusha është bërë nga 1 deri më 5 tetor. Shteti ka afat 18 muaj për realizimin e këtyre rekomandimeve, sepse sipas rregullave të grupit, pas kësaj kohe, në rrethin e radhës theksi vendoset në sfera tjera kudo që do të vlerësojë GREKO. Në rrethin paraprak, temë e hulumtimit kanë qenë parlamenti, gjyqësori dhe prokuroria. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU