Maqedoni
Aksioni i ri kundër duhanit ilegal, Policia Financiare me kontroll në disa kompani
27.06.2019 17:30
Policia Financiare ka vazhduar aksionin anti-duhan në Shkup.....

Inspektorët financiarë që në orët e para të mëngjesit kanë bastisur disa firma në kryeqytet, ku janë marrë dokumentacionet e nevojshme për të vërtetuar nëse duhani është i llojit “Virgjinia”, i të njëjtit lloj ilegal për të cilin u kërkua dy ditë më parë edhe në aksionin në disa fshatra në Shkup. Nga Policia Financiare gjithsesi sqarojnë përmes një komunikate rreth aksionit të mëngjesit pa dhënë shumë hollësi rreth firmave që janë kontrolluar.
“Më datën 27 qershor 2019, sipas udhëzimeve të prokurorit publik dhe në bazë të njohurive për vepra penale të kryera në fushën e krimit financiar, për veprat penale kontrabandë - sipas nenit 278, paragrafi 3 dhe neni 5, paragrafi 1; Mashtrim doganor sipas nenit 353, paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe sipas urdhrave të lëshuara nga Gjykata Themelore Penale - Shkup, Drejtoria e Policisë Financiare ka kryer kontrolle në disa persona juridikë (kompani private) - importues të gjetheve të duhanit dhe persona fizikë - ndërmjetësues për shitjen e paligjshme të tyre. Me qëllim të vërtetimit dhe zbulimit të akteve të paligjshme të lartpërmendura, kontrollet dhe veprimet hetimore nga ana e Policisë Financiare janë në vazhdim”,- thuhet në komunikatën e Policisë Financiare.
Policia financiare në aksionin e së martës sekuestroi rreth 12 ton duhan, një pjesë e madhe e tij dyshohet se është duhan i futur ilegalisht në tregun tonë, për të cilin nuk është paguar akciza e nevojshme.
REXHEP QAMILI
