Botë
Shqipëri, Meta: 13 tetori, data e re e zgjedhjeve
27.06.2019 17:56
Debati i fortë për datën e zgjedhjeve në Shqipëri, merr një tjetër kthesë...

Presidenti Meta dekretoi 13 tetorin për mbajtjen e zgjedhjeve vendore duke sqaruar se 30 qershori është thjesht një ditë e bukur në këtë sezon turistik.
“Dekreti për datën e re të zgjedhjeve, që është data 13 tetor. Dy arsyet pse kam vendosur këtë datë, sepse është dita më e shpejtë për të organizuar zgjedhjet vendore gjithëpërfshirëse. Arsyeja e dytë është sepse si e kam nënvizuar edhe në 8 qershor, kur e zhdekretova datën e zgjedhjeve, ka të bëjë me garantimin e vazhdimësisë të integrimit europian, të mos shkëputjet të Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për çeljen e negociatave. Kemi humbur shumë kohë, por për fat të mirë në agjendën e BE është për të marrë një vendim për çeljen e negociatave në tetor, dhe mbledhja është me 1”,- deklaroi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Rama: Zgjedhjet mbahen më 30 qershor
I menjëhershëm ishte reagimi i kryeministri, Edi Rama, pas dekretimit të datës së re të zgjedhjeve.
“A nuk ju thashë prisni çmendurinë e dytë?”,- shkruan shefi i qeverisë, i cili vijon me tej qëndrimin e tij: “Tani thjesht mëshirojeni. Data e nxjerrë nga filxhani i revolucionit imagjinar është një nul absolut”,- thotë Rama.
Sipas shefit të qeverisë 30 qershori Është e vetmja datë zgjedhjesh.
Para se të publikonte dekretin për datën e zgjedhjeve të reja, kreu i shtetit zhvilloi takime me drejtues të disa partive, në përpjekje për të zgjidhur krizën politike në vend. Meta iu drejtua të mërkurën në mbrëmje me një ftesë dy liderëve politikë, Ramës dhe Bashës, duke deklaruar se i priste në takime në zyrën e tij, nga ora 5.00 deri në 13.00. Basha dhe aleatët e tij ishin në takim, ndërsa kryeministri Rama mungoi me argumentin se ishte i zënë me fushatën.
Me presidentin është takuar edhe shefja e zyrës së Këshillit të Europës në Shqipëri, Juta Gutskou, si dhe ambasadorët e vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë.
LULJETA NDOKA
