Maqedoni
Pr/ligji për kthimin e TVSh-së, debat i ashpër në Komisionin për Financa dhe Buxhet
27.06.2019 18:07
Kthimi i tatimit në llogaritë e qytetarëve me projektin “TVSh-ja ime”....

Kthimi i tatimit në llogaritë e qytetarëve me projektin “TVSh-ja ime”, që pritet të startojë nga korriku, ka ngjallur debat të ashpër në Komisionin për Financa dhe Buxhet. Qeveria shpreson që jo vetëm të sanksionojë ekonominë gri, por edhe shtojë mjetet në buxhet, pasi qytetarët tashmë vetë do të kërkojnë llogari fiskale për të kthyer 15% të parave përmes kthimit të tatimit. VMRO thotë se ligji vërteton paaftësinë e DAP-it për përballje me evazionin fiskal.
“Paratë nga kthimi i TVSh-së qytetarët do t’i kenë në llogari bankare pas përfundimit të çdo tremujori. Sa i përket vitit 2019, paratë do të transferohen në llogari të qytetarëve në muajin dhjetor. Ligji prezanton masë sociale, ku qëllimi kryesor është luftimi i ekonomisë joformale”,- tha zëvendësministrja e financave, Shyrete Elezi.
“Sjellja e këtij propozim ligji është dëshmi se DAP nuk ka kapacitet institucional dhe njerëzor që të përballet me evazionin fiskal, gjegjësisht me mosregjistrimin e fitimit përfundimtar nëpërmjet sistemit fiskal”,- tha deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dragan Cuklev.
Janë vendosur dy kufizime: shuma e taksës së llogaritur, nga e cila do të bëhet kthimi, do të jetë më së shumti 12 mijë denarë në një tremujor dhe shuma më e lartë e llogarisë fiskale individuale është e kufizuar në 30.000 denarë.
“I është dhënë mundësia që të gjithë të shfrytëzojnë të drejtën për kthim të TVSh-së, por kjo nuk është një mundësi për më të pasurit që shpenzojnë më shumë fonde. Pra, shansi është për të gjithë në përputhje me mundësitë”,- tha deputeti i LSDM-së, Pançe Ivanov.
"Ky projekt nuk është i qëndrueshëm dhe do të sjellë përfitime vetëm për familjet e pasura. Matematika tregon se për një mijë denarë dhe një TVSh prej 18%,qytetarëve do t’u kthehen vetëm 27 denarë, ose për llogari të 10 mijë denarëve kthehen mjete në vlerë prej 270 denarë”,- theksoi deputetja e VMRO-DPMNE-së, Liljana Kuzmanovska.
Sipas pritshmërive të qeverisë, qytetarëve në vit do t’u kthehen afër 50 milion euro.
GAZMEND REXHEPI
