Maqedoni
Ditë e hapur e qeverisë, OJQ-të me kërkesa konkrete për ministrat
27.06.2019 18:26
OJQ-të kërkojnë nga qeveria të sigurojë kushte më të mira për të rinjtë....

Në ditën e hapur të qeverisë, ku theksi u vu pikërisht tek të rinjtë dhe kontributin e tyre në krijimin e politikave, OJQ-të dolën me kërkesa konkrete. Qytet studentor, përmirësimin e komunikimit mes nxënësve e profesorëve, inkuadrimin e lëndës edukimi seksual, si dhe shmangien e urrejtjes nacionale, ishin iniciativat për të cilat të rinjtë kërkuan ndihmë nga ministritë përkatëse për implementimin e tyre sa më të shpejtë në praktikë.
“Kërkojmë përkrahje nga MASh për projektin “Zëri im”, ku nxënësit më lehtë do të komunikojnë me autoritet e shkollës, nuk kushton shumë, por mund të përmirësojë funksionimin e sistemit për nxënësit e shkollave të mesme”,- tha Ivan Jovanov nga Shoqata “Li”.
“Qytetit tonë i duhet një qytet studentësh dhe shpresojmë se nisma jonë do të shqyrtohet, sepse korrespondon me premtimet e Ministrisë së Arsimit dhe Shëndetësisë”,- tha Simona Dimkovksa nga Shoqata “Eho Kulturore”.
“Përmes arsimit joformal, ku inkuadrohet edhe sporti dhe format tjera, mendoj se mund të arrihen efekte të mëdha për shmangien e urrejtjes dhe nacionalizmin që deri më tani ekzistonte në vendin tonë”,- theksoi Vera Josimovkska nga OJQ “Hepa”.
“Ne shpalosëm nismën për pilotimin e projektit arsimimi seksual në arsimin fillor, ne si OJQ HERA kemi grupe punuese që punojnë në këtë sferë dhe shpresoj se Qeveria do t’i japë përkrahje këtij projekti”,- tha Elena Petrovska nga “Hera”.
Ministrat shpalosin projektet e realizuara, premtojnë shqyrtimin e kërkesave të OJQ-ve
Ministrat premtuan se do të shqyrtojnë këto iniciativa dhe shpalosën projektet e realizuara deri më tani që, sipas tyre, kanë avancuar statusin e të rinjve.
“Nxënësit dhe organizatat e tyre do të marrin pjesë drejtpërdrejt në organizimin e programit vjetor të shkollës, në propozimet konkrete për organizimin e ekskursioneve, aktiviteteve jashtë mësimore dhe në evaluimin e shkollës”,- tha ministri i Arsimit, Arbër Ademi.
“Ndryshimet e Ligjit për mbrojtje shëndetësore garantojnë punë të sigurt për çdo mjek të ri, që do përfundojë studimet dhe stazhin në odën e mjekëve dhe punë për të gjitha infermieret e papunësuara, që do të kyçen në shërbimin e patronazhit. Në këtë mënyrë do të ndikojnë në afrimin e shërbimeve drejt pacientëve, posaçërisht në vendbanimet rurale”,- u shpreh ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Së shpejti do të realizohen projektet që të rinjtë kërkuan, siç janë: edukimi seksual, trajtimi i të rinjve përdorues të drogave dhe punësimi i të rinjve. Si ministri me përkushtim punojmë që të sigurojmë mundësi për punësimin e të rinjve, janë ndarë 1 miliard e 100 milion denarë për masat operative për punësim”,- theksoi ministrja e punës dhe politkë sociale, Mila Carovska.
Të rinjve iu dha garanci edhe nga Fondi i Inovacioneve, institucion i cili premtoi mbështetjen e të rinjve të talentuar deri në moshën 18-vjeçare.
FLUTURA LATIFI
