Maqedoni

Kuvend, debat i ashpër në diskutimet për ministrat e rinj

27.06.2019 18:37

Pasi një ditë më parë konstatoi dorëheqjet e ministrave dhe shkarkoi tre të tjerë....

Pasi një ditë më parë konstatoi dorëheqjet e ministrave dhe shkarkoi tre të tjerë, Kuvendi vazhdon diskutimin rreth propozimit të kryeministrit, Zoran Zaev, për zgjedhjen e anëtarëve të qeverisë.
 
Duke iu referuar biografive të kandidatëve për ministra, kryeministri Zaev shprehu besimin se ministrat e rinj do të vazhdojnë reformat dhe projektet e nisura nga ministrat pararendës dhe se do të eliminojnë defekte që ka nxjerr në pah vetë sistemi. Beson se ministrat e rinj do të marrin përgjegjësinë për ndërtimin e një shoqërie për të gjithë, me theks të posaçëm Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.
 
“Me Ligjin për ndërrimin e organeve të administratës shtetërore u krijua një ministri e re. Qëllimi është që përmes një qasjeje të tillë të bëjmë rrumbullakim të aspektit juridik të MO-së dhe përfundimisht të kalojmë në zbatimin e një shoqërie të re, të cilën e quajtëm “Një shoqëri për të gjithë”. Në të ardhmen do të flasim për qytetarët, për cilësitë e tyre, për garën dhe për ndërtimin e një shoqërie ku të gjithë do të kemi të drejta dhe përgjegjësi ndaj shtetit”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Opozita, kritike për qeverisjen aktuale dhe propozimet e reja. ASh konsideron se kryeministri ka kursyer ministrat e përfshirë në skandale dhe ministrat përgjegjës për mosmarrjen e datës për fillimin e negociatave. Dyshon se kandidati që propozohet të drejtojë Ministrinë e re, është zgjedhja e duhur. 
 
“Gjithë ato probleme të hapura të cilat ne i kemi do t’i zgjidhni duke zgjedhur një ministër, për të cilin unë e di se cili është mendimi yt personal?! Kur flasim për sistemin, për politikën, për marrëdhëniet ndërmjet bashkësive etnike, nuk mund të zgjidhen me një ministër si z. Duraku”,- tha deputeti i ASh-së, Ziadin Sela.
 
VMRO-DPMNE konsideron se rekonstruimi i qeverisë nuk mjafton. Kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare.
 
“Mesazhi që qytetarët ia dërguan kryeministrit, Zoran Zaev, në zgjedhjet presidenciale dhe në referendum është se duan që sa më shpejtë të ikni nga pushteti. Jo se duan ndërrimin e disa ministrave, jo se duan që Zoran Zaev të mbetet kryeministër, por se duan të ikni nga pushteti. Mesazhi ishte i qartë dhe ju këtë e dini”,- u shpreh Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
 
Mirëpo deputetët e shumicës parlamentare rikujtuan opozitën për qeverisjen e tyre kriminale. “Pa distancim nga ish kryeministri, Nikolla Gruevski, veprat kriminale të asaj qeverie dhe pa ofertë të re politike nuk do të vini më në pushtet”,- u kundërpërgjigjën deputetët e mazhorancës.
 
SHPËTIM NUREDINI