Maqedoni
Ministria e Kulturës, Ademi ia dorëzon postin ministrit të ri Ismaili
28.06.2019 12:16
Në Ministrinë e Kulturës u bë pranim-dorëzimi i postit....

Ministri i deritanishëm, Asaf Ademi, që ka dhënë dorëheqje më herët për arsye personale, ia dorëzoi karrigen bashkëpartiakut të tij, Hisni Ismailit. Ademi tha se ministrinë e dorëzon në gjendje më të mirë se e gjeti dhe Ismaili pohoi se kjo do ia lehtësojë punën.
“Për dallim prej ditës së parë kur e mora detyrën e punës ku fjala e parë që mu tha ishte: nuk ka para, tash i them ministrit se buxheti është i konsoliduar dhe ashtu siç është i paraparë nga një borxh prej 20 milion euro, shpresojmë që ne kemi paraparë që të dalim me zero denarë borxh në fundvit”,- deklaroi ish ministri i Kulturës, Asaf Ademi.
“Mendoj që në të ardhmen do të bëjmë çmos që t’i arrijmë synimet dhe qëllimet për të cilat kemi ardhur në këtë post. Mendoj që në të ardhmen do të bashkëpunojmë me stafin që e kam këtu të organizuar me përvojë pune profesionale me mundësitë e mia që i kam”,- tha ministri i Kulturës, Hisni Ismaili.
Faktin që me profesion është mjek, Ismaili nuk e sheh si pengesë pasi thotë se ka pasur që më herët lidhje me kulturën.
“Siç e dini biografinë se jam marrë me mjekësi, por unë paralelisht jam marrë edhe me sferën e kulturës, qysh prej viteve 90 unë kam qenë aktiv, i kam shokë dhe miq në sferën e kulturës, posaçërisht kam marrë pjesë në redaktimin dhe botimin e librave në shtëpitë botuese të ndryshme, në programe të radios, dokumentarë të ndryshëm dhe në shoqata të ndryshme kulturore”,- theksoi ministri i Kulturës, Hisni Ismaili.
Ismaili premton se ministria do të vazhdojë të mbetet në shërbim të institucioneve kulturore, me synim të zgjidhjes së problemeve të punonjësve të kulturës.
VLORA LATIFI TOPOJANI
