Botë

Putin: Liberalizmi është "vjetërsuar"

28.06.2019 13:33

Vladimir Putin është shprehur se liberalizmi është "i vjetërsuar" në një intervistë para se të nisej për samitin e G20.....

Presidenti rus tha se ideologjia që ka mbështetur demokracitë perëndimore për dekada me radhë, kishte "tejkaluar qëllimin e saj".
 
Kreu rus vlerësoi gjithashtu rritjen e populizmit në Evropë dhe Amerikë, duke thënë se idetë si multikulturalizmi nuk ishin më "të qëndrueshme".
 
Komentet e tij erdhën në një intervistë për Financial Times.
 
Intervista u botua ndërsa liderët botërorë filluan bisedimet mbi tregtinë dhe sigurinë në Japoni.
 
"Liberalët nuk mund të diktojnë asgjë për askënd,"-tha Putin, i cili ka shërbyer si president për gati dy dekada.
 
Ai shtoi se liberalizmi ishte në konflikt me interesat e shumicës dërrmuese të popullsisë, duke marrë shembull kancelaren gjermane Angela Merkel që lejoi futjen e një numri të madh refugjatësh në Gjermani.
 
"Kjo ide liberale supozon se asgjë nuk duhet bërë, sepse emigrantët mund të vrasin, plaçkitin dhe përdhunojnë pa u ndëshkuar, sepse të drejtat e tyre si emigrantë duhet të mbrohen,"-shtoi Putin.
 
Presidenti tha gjithashtu se Rusia nuk ka problem me personat e LGBT por disa gjëra janë të tepruara për ta.
 
"Ata thonë se fëmijët duhet të kenë 5 ose 6 gjini. Le të jenë të gjithë të lumtur, nuk e kemi problem. Por kjo nuk duhet lejuar të errësojë kulturën, traditat dhe vlerat tradicionale të familjeve të miliona njerëzve që përbëjnë popullsinë bazë,"-theksoi Putin./Ora News.