Maqedoni

Dorëzimi i mandatit nga kreu i RDK-së, Xhaferi: Pres që Memedi të reflektojë

28.06.2019 15:03

Mandati i deputetit të RDK-së, nënkryetarit të deritanishëm të kuvendit, Vesel Memedit...

Mandati i deputetit të RDK-së, nënkryetarit të deritanishëm të kuvendit, Vesel Memedit, pritet të shqyrtohet në kuvend më 9 korrik, por kreu i parlamentit, Talat Xhaferi, pret që kreu i RDK-së të ndryshojë qëndrimin e tij deri në fillimin e seancës ku është paraparë të konstatohet dorëheqja. E nëse Memedi nuk ndryshon mendje, Kuvendi është i gatshëm që të zgjedhë nënkryetar tjetër në momentin kur do të vijë propozimi nga Komisioni për Emërime, apo nga 20 deputetë.
 
Numri një i Kuvendit është i pakënaqur, ndërkohë,  nga sjellja e disa deputetëve, sipas tij, që përdorin foltoren e Kuvendit për pikë politike, duke mos respektuar kodin etik dhe procedurat e Kuvendit. Thotë se deri tani e ka toleruar këtë sjellje sepse nuk ka dashur të jetë ai pikënisja e problemit. 
 
“Edhe pse kishim në rend të ditës caktimin e ministrave të rinj me  propozim të Qeverisë, disa deputetë, për qëllime politike, e shfrytëzuan foltoren për gjithcka tjetër, por vetëm jo për pikën e rendit të ditës. Për atë shkak deputetit të VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev, u detyrova t’ia ndërpres fjalimin. Nuk ka qenë e arsyeshme edhe mënyra e shprehjes së disa deputetëve kur flisnin për grafite, arrestime, përgjime e gjëra të tjera, por kjo është kultura politike”,- tha kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
E ajo që kryeparlamentari nuk ka ndërmend të tolerojë më, është shkelja e hapësirës së caktuar për të. Duke aluduar në deklaratën e kryetarit të ASh-së, Zijadin Selës, i cili nga foltorja tha se do të shkruajë grafit mbi kokën e Xhaferit nëse edhe ndonjëherë policia arreston të rinjtë që shkruajnë grafite, Xhaferi u përgjigj prerë: askujt të mos i shkojë mendja të shkelë hapësirën e caktuar për kryeparlamentarin! 
 
“Ka kaluar koha kur për hir të proceseve kam toleruar gjithçka, duke i lejuar edhe disa deputetë të caktuar të ngjiten në pjesën time, të hedhin fjalë të rënda ndaj meje, por edhe gjëra të tjera. Prandaj këtë ua kam bërë të gjithëve me dije, mos t’i shkojë askujt mendja që edhe njëherë të ngjitet afër vendit tim dhe të nxjerrë mllefin e tij për pikë politike”,- u shpreh kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Për sa i përket ish deputetit, Nikolla Gruevski, Xhaferi potencoi se deri tek ai nuk ka arritur asnjë kërkesë për apanazh. Informoi gazetarët ndërkohë se Kuvendi është në pritje të ratifikimit  të protokollit të anëtarësimit të vendit në NATO. Janë 9 vendet të cilat akoma nuk e kanë ratifikuar, por që janë në procedurë dhe ato janë: Luksemburgu, Islanda, Spanja, Italia, Franca, ShBA-ja, Turqia, Britania dhe Holanda.  
 
FITIM KRYEZIU