Maqedoni

Rejtingu i PSP-së, Bubevski: PSP është në “komë artificiale”

28.06.2019 15:28

Prokuroria Speciale Publike gjendet në “komë artificiale” pas vendimit të Gjykatës Supreme....

Prokuroria Speciale Publike gjendet në “komë artificiale” pas vendimit të Gjykatës Supreme për mosveprim në aktakuza të ngritura pas afatit të paraparë prej 18 muajve. Kështu u shpreh prokurori special, Gavrill Bubevski, sipas të cilit besimi i rënë që vërehet tek Specialja sipas anketave, do të rikthehet menjëherë pasi PSP-së t’i jepet mundësia për të punuar. Sipas tij, nuk është aspak kontestuese, por është ligjore që prokurorja speciale, Katica Janeva, të lejohet të vazhdojë mandatin edhe për një vit.
 
"Nga anketa paraprake nuk kemi ndonjë rënie drastike, por është e qartë se edhe ligjvënësi edhe shoqëria në këtë moment e mbajnë PSP-në në një farë kome artificiale. Me vendimin e Gjykatës Supreme, me mosveprim të edhe një aktakuze në gjykatë, ndjehet se vendimi i Supremes ka gjetur rrugën e saj dhe në këtë moment, përveç gjykimeve për aktakuzat që i kemi dorëzuar në afat, ne përveç dokumenteve që i mbledhim, aktivitete tjera nuk ka dhe me këtë është normale që njerëzit mos të kenë besim në punën tonë. Por, kjo shumë shpejt do të ngrihet vetëm se mos t’i marrim mundësitë”,- u shpreh prokurori special, Gavrill Bubevski.
 
Kallajxhiev: Gjyqësori të mos presë vendime politike
 
Duke folur për vakuumin juridik lidhur me statusin e PSP-së dhe hetimet e ngritura nga kjo prokurori, profesori universitar, Gordan Kallajxhiev, thekson se gjyqësori duhet të ndalojë së prituri vendime të politikës.
 
“Gjyqësori nëse do të dëshmojë se është gjyqësor, duhet patjetër të vendosë përmes drejtësisë dhe jo politikës. Deri më tani të gjitha këto çështje i zgjedhim me prapavijë politike. Përkrahës të PSP-së dhe kundër. Gjykatësit duhet të orientohen nga  drejtësia. Sa shoh unë gjykatësit janë të vendosur mes çekiçit dhe kudhrës në kuptimin  e asaj se çka do të vendosin”,- tha profesori universitar, Gordan Kallajxhiev.
 
Ristovski: Ligji i ri për PTHP, pritet në shtator
 
Nga Ministria e Drejtësisë shpresojnë se në shtator do të ketë ligj për statusin e PSP-së dhe se i njëjti nuk e pengon Janevën të konkurrojë përsëri.
 
“Për momentin nuk ka negociata këto ditë, nuk do të pushojnë negociatat gjatë verës presim më së voni në shtator të miratojmë ligjin. Shpresojmë se do të dakordohemi me VMRO-DPMNE opozitare. Me ligjin e ri është e paraparë që zgjedhja e të gjithë prokurorëve të bëhet në Këshillin e Prokurorëve dhe Katica Janeva do të ketë të drejtë që sërish të konkurrojë”,- tha zëvendësministri i drejtësisë, Oliver Ristovski.
 
Sa i përket aktvendimit me të cilin ish ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska, është dënuar me 4 vite burg në rastin "Tanku", prokurori Bubevski vlerëson se është e palejueshme që mbajtja e dënimit të shtyhet, pasi fëmija i saj tani ka mbushur një vjet. Kontestues mbetet edhe ekstradimi i ish kryeministrit, Nikolla Gruevski. Sipas zëvendësministrit për drejtësi, Oliver Ristovski, autoritetet hungareze vendosin nëse do të ketë revizionin të azilit dhe se Ministria nuk mund të bëjë asgjë në këtë drejtim. Këto komente u bënë para konferencës së grupit "BLU PRINT" për reforma në gjyqësor.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI