Maqedoni
Dyshime për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në pranga 11 ish-funksionarë e nëpunës shtetërorë
28.06.2019 17:49
Prokuroria Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe MPB....

Prokuroria Themelore Publike për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe MPB ka ndaluar 11 persona të dyshuar për “keqpërdorim të detyrës zyrtare” për marrëveshje për shitjen e tokës shtetërore në qendër të Shkupit për ndërtimin e disa objekteve hotelerike dhe shkallëve spanjolle, pjesë e projektit “Shkupi 2014”. Në mesin e të dyshuarve është ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, pesë të punësuar aktualë në Ministrinë e Transportit dhe lidhjeve, noterë, të punësuar në Kadastër, si dhe një avokatë shtetërorë në Qytetin e Shkupit.
Janakievski dyshohet se ka përvetësuar rreth 2 milionë euro, në 4 marrëveshje të jashtëligjshme për parcela të mëdha, thonë nga Prokuroria, duke shtuar se edhe pse kompanitë nuk i kishin plotësuar kushtet, të dyshuarit marrëveshjet për tokën i kishin plotësuar me anekse shtesë. Për gjysmën e të dyshuarve kërkohet paraburgim dhe ngrirje e pronës së tyre.
“Bëhet fjalë për nënshkrimin e marrëveshjeve për tjetërsimin e tokës shtetërore në të cilat në ato marrëveshje janë parashikuar obligime të kontratave për moszbatimin e detyrimeve nga kryerësi i punimeve. Pikërisht këto obligime nuk janë respektuar, me çka është dëmtuar buxheti i shtetit. Për gjashtë të dyshuarit propozojmë masën e paraburgimin dhe ngrirjen e pronës së tyre, ndërsa për një person masën e kujdesit”,- tha prokurorja, Ivana Trajçeva.
Në këtë aksion u privua nga liria edhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së, Dimitar Dimovski, si dhe kryetari i Komitetit Komunal i Aerodromit të kësaj partie, Dean Mitevski. VMRO-DPMNE përgënjeshtron se bëhet fjalë për vepra kriminale, por për sulm politik ndaj funksionarëve të kësaj partie. Shprehen të bindur se të dyshuarit do të dëshmojnë pafajësinë e tyre.
“Ky është rast në të cilin nuk ka, ashtu siç u tha, krim dhe korrupsion dhe te asnjëri prej të arrestuarve nuk janë gjetur mjete të fituara ilegalisht ose pronë e fituar ilegalisht. Bëhet fjalë për interpretim të procedurës ligjore, gjë që mund të interpretohet në një formë ose në një tjetër. Apelojmë te prokuroria dhe gjykatat që të largohen nga duart e pushtetit dhe nga ndikimet politike dhe të vendosin sipas ligjit dhe kushtetutës. E kanë për detyrë, kanë bërë betim dhe e kanë përgjegjësi”,- tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Aleksandar Nikollovski.
Nga Prokuroria thonë se procedura parahetimore për këtë rast ka zgjatur disa muaj dhe shprehen se në këtë rast ka veprime në kundërshtim të ligjit.
REXHEP QAMILI
