Botë
Shkodër, Molotov ndaj KZAZ-së, 15 persona në pranga
28.06.2019 18:15
Situata politike në Shqipëri sa vjen e ndërlikohet....

Policia e shtetit ka arrestuar 15 persona për sulmin në një komision të administrimit zonal zgjedhor në Vaun e Dejës në Shkodër, 9 shtetas të tjerë janë shpallur në kërkim. Kryeministri, Edi Rama, ka shkarkuar nga detyra kryetarin e kësaj bashkie, Zef Hila, duke e bërë përgjegjës kryesor për ngjarjen.
Kryeministri paralajmëroi të gjithë kryebashkiakët opozitarë që të mos guxojnë të prekin materialet zgjedhore apo zonat e votimit, ndryshe do të kenë të njëjtin fat. Këtë shkarkim, kryetari demokrat, Lulzim Basha, e ka cilësuar hakmarrje personale. Sipas kryedemokratit, kryeministri Rama po kërkon të flijojë njerëz të pafajshëm për të mbajtur pushtetin.
“Është hakmarrje personale politike, kundër një përfaqësuesi të ligjshëm, të denjë të njerëzve. Është vendim personal i Edi Ramës që përdor Këshillin e Ministrave si fasadë dhe mercenarin, Sandër Lleshi, një njeri i pazgjedhur, i pavotuar, paasnjë përfaqësim, për ta ndërsyer kundër njerëzve dhe opozitës”,- tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Partia Socialiste duket e vendosur për të mbajtur zgjedhje të dielën edhe pse presidenti i republikës dekretoi datën 13 tetor për zgjedhjet e reja vendore. Madje, Ilir Meta, ia dërgoi një letër publike dje Ramës, letër të cilën kryeministri e interpretoi si letër të koduar dashurie.
“30 qershori është të dielën dhe nuk e luan as topi, jo më ta luajë filxhani ku Monika ka zhytur të gjithë opozitën, e jo më ta luaj dekret pas dekreti i Baba Xhikës, që më kishte çuar edhe një letër dashurie mbrëmë. Një letër dashuria që çuditërisht e çoi pasi u dogj KZAZ-ja në Vaun e Dejës”,- tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Por, Meta i është përgjigjur me një video në Facebook, ku tregohen pamje të votimeve në kohën e komunizmit. Delegacioni i BE-së, OSBE dhe ambasadorët e akredituar kanë bërë thirrje për qetësimin e situatës, duke paralajmëruar politikën se çdo lloj dhune është e papranueshme.
LULJETA NDOKA
