Maqedoni

Aksioni policor në Luboten, Spasovski: Luftë me krimin, jo me banorët

28.06.2019 18:28

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sqaroi aksionin policor në Luboten të Shkupit, por jo vetëm....

Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, sqaroi aksionin policor në Luboten të Shkupit, por jo vetëm. Sipas tij, bëhet fjalë për hetim të Policisë Financiare dhe me urdhër të Prokurorisë Publike, ka vepruar policia në një aksion që është planifikuar një kohë të gjatë, kur janë mbledhur dëshmi të shumta.
 
“Aksioni policor në Luboten të Shkupit nuk ishte aksion kundër banorëve të fshatit, por aksion kundër kontrabanduesve të duhanit.” – u përgjigj Spasovski në pyetjen e deputetit të BDI-së, Ejup Halimi.
 
“Në atë çast janë bërë bastisje në 13 lokacione, në Luboten, në Haraçinë, në Hasanbeg dhe në Vizbeg, kështu që nuk është aksion që është drejtuar kundër banorëve të Lubotenit; dhe fakti i dytë, nga 400-500 shtëpi sa ka Luboteni, janë bastisur vetëm 9 objekte, të 9 personave. Kjo dëshmon se nuk ka qenë cak çdo banor i Lubotenit, por persona të caktuar që kanë marrë pjesë në këtë tregti ilegale”,- deklaroi ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
 
Spasovski sqaroi se bëhet fjalë për persona me dosje kriminale, për kultivim, prodhim dhe tregtim të jashtëligjshëm të duhanit. Në aksion është konfiskuar rreth 14 tonelata duhan i llojit “virxhinia”, mbi 95%, duhan për tregti. Janë konfiskuar pesë pajisje për prerje të duhanit, të cilat janë të ndaluara për posedim.    
 
Alimi: Përse nuk e ndaluat që në fillim kontrabandën?
 
Mirëpo, deputeti Halimi konsideron se Policia ka përdorur forcë të tepruar dhe ka frikësuar banorët e këtyre vendbanimeve. Ai kërkoi përgjegjësi përse ata që e kthyen aksionin në spektakël e që lejuan që duhani joligjor të hyjë në vend.  
 
“Dhatë disa sqarime të cilat për opinionin ndoshta janë të njohura por nuk dhatë sqarimet që kërkova. Maunja deri sa është sjellë në fshatin Luboten, në Hasanbeg dhe në fshatin Haraçinë ka bërë rrugëtim. Pse nuk janë parandaluar? Nuk dua të amnistojë askënd, por për mua dhe, le ta vlerësojë opinion, se vërtetë a është përdorë forcë e tepruar?!”,- u shpreh deputeti i BDI-së, Ejup Halimi.
 
Sipas Spasovskit, kultivuesit e ndershëm të duhanit e dinë se si kultivohet duhani, ku blihet dhe ku shitet prandaj duhet të jenë të qetë. Lufta kundër kontrabandës, ekonomisë së zezë është edhe në favor të tyre edhe në favor të buxhetit të shtetit, tha mes tjerash Spasovski.
 
SHPËTIM NUREDINI