Akuzat e zv.ministrit Atanasov, Ademi: Në arsim nuk ka ngecje, ka reforma

29.06.2019 14:07

Në sferën e arsimit po bëhen reforma rrënjësore....

Në sferën e arsimit  po bëhen reforma rrënjësore dhe ndryshime të ligjeve me qëllim të avancimit të procesit arsimor  në të gjitha ciklet. Kështu i përgjigjet  numri një  i këtij dikasteri Arbër Ademi akuzave  të ish zëvendësit të tij që dha dorëheqje me arsyetimin se   reformat në arsim po ngecin dhe nuk po zbatohen në praktikë.

Ademi për TVM 2, pohon se vërejtjet nuk janë reale, sepse  sistemi arsimor po i  nënshtrohet shumë risive, po përgaditen dy propozim ligje dhe të gjitha këto ndryshime po bëhen në konsultime me ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Nga emrimi im kemi ligj të ri për mbështetjen e të rinjëve gjatë blerjes së instrumenteve muzikore, kemi ndryshim të Ligjit për standard studentor ku kemi bursa për të gjithë ata që vendosin të studiojnë për mësimdhënës, kemi ndryshim të Ligjit për standard të nxënësve me çka parashihet ndihmesë konvikteve të nxënësve, po ashtu kemi 22 tekste të korrigjuara,  programe të reja të muzikës ku nuk do jenë këngët e përkthyera,  programe të reja në lëndën e gjeografisë për klasën e 7-8 dhe 9 , programe të reja mësimore në lëndën Arsimi qytetar,  kemi dy propozim ligje me 1 milion risi, kemi ngritje të pagave për 5 përqind për këtë vit dhe trendi po vazhdon dhe risi të bazuara në të dhëna në analiza kredibile dhe jo në perceptim” – tha ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi.

RUSHITI: LIGJE TË REJA KA, NUK IMPLEMENTOHEN NË PRAKTIKË

Por ish Ministri i Arsimit Sulejman Rushit, konsideron se nevojiten analiza rrënjësore për të gjitha ndryshimet që po ndërmirren. Sipas tij, ndryshime në ligje ka, por nuk po gjendet mënyra që të njejtat të implementohen në  praktikë.

“Ne jo që nuk kemi patur ligje pozitive programe dhe projekte pozitive, problemi ynë qëndron kyrekëput te mosimplementimi i ligjeve , tek gjetja e mënyrave për ta anashkalauar implementimin e ligjeve dhe nëse vazhdohet në këtë trend unë mendoj se do vijë një kohë kur ndoshta do ndryshojnë raporte poltike dhe hipotetikisht dhe nëse dikasteri i arsimit miret nga partia tjetër në koalicion, ajo do t’i rrëzojë propozimet e ministrit të partisë tjetër të koalicionit. Këto janë dilema që duhet t’i pastrojmë, t’i qasemi arsimit në mënyrë analitike shkencore dhe politika t’i qëndrojë nevojës për impelementim të të njejtave” – u shpreh ish ministri i Arsimit dhe Shkencës, Sulejman Rushiti.

Rushiti vlerëson se nuk duhet humbur kohë vetëm në korigjimin  e teksteve shkollore, sepse këtë lëshime janë bërë pikërisht nga  kjo strukturë partiake  Dikasteri i arsimit sipas tij, duhet të merret me çështje më të avansuara dhe projekte zhvillimore në sferën e arsimit. (Flutura Latifi, TVM2)