Maqedoni
I nxehti tropikal, fazë e verdhë alerte deri të enjten
02.07.2019 11:27
Territori i Maqedonisë së Veriut këtë javë është përfshirë nga vala e ngrohtë me temperatura të fazës së verdhë...

Sipas informacioneve të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, sot dhe nesër temperaturat maksimale në shumë vende do të tejkalojnë edhe 35 gradë celsius. Pritet temperaturat nesër të arrijnë në 40 gradë. Indeksi UV do të arrijë 9. Prej nesër deri të premten në orët e pasdites do të ketë kushte për shi të rrëmbyeshëm lokal dhe bubullima.
Nga Ministria e Shëndetësisë apelojnë qytetarët të shmangin qëndrimet në vende të hapura në periudhën nga ora 11 deri në orën 17:00, të mbajnë veshmbathje të ndritshme dhe të lehtë, ndërsa gjatë ekspozimit direkt në diell të mbajnë kapelë dhe syza mbrojtëse, të konsumojnë ushqim të lehtë dhe sasi më të madhe të pijeve, më së miri ujë i zakonshëm për pije, t’i shmangin pijet alkoolike, ndërsa gjatë hyrjes në automjet duhet një periudhë të caktuar ta ajrosin.
Gjatë ditëve të tilla ekstreme, nga Ministria, gjithashtu thonë se qytetarët duhet të mbesin në hapësira të mbyllura para se gjithash me ajër të kondicionuar, gjatë qëndrimit të domosdoshëm në hapësirë të hapur në këtë periudhë, të gjejnë mundësi për pushime të shpeshta nën hije, ndërsa personat e sëmurë kronik rregullisht ta marrin terapinë e shënuar.
