Maqedoni

Rasti "Lëndina" PSP: Llatas të dënohet, t’i merren vikend-shtëpitë

02.07.2019 15:32

Në Gjykatën Penale në Shkup, Prokuroria Speciale Publike paraqiti fjalët përfundimtare për rastin “Lëndina”....

Në Gjykatën Penale në Shkup, Prokuroria Speciale Publike paraqiti fjalët përfundimtare për rastin “Lëndina”, që ka të bëjë më ndërtime të paligjshme të vikend-shtëpive në Zelenikovë të vëllezërve Pavlloviq, në mesin e të cilëve edhe gazetari, Dragan Pavlloviq Llatas. Gjatë gjykimeve u shpalosën dëshmi, si biseda të përgjuara, fatura dhe ekspertiza të realizuara.
 
"Prokuroria me dëshmitë e shpalosura gjatë shqyrtimit kryesor dëshmoi se Dragan, Srgjan dhe Zvezdan Pavlloviq, kanë kryer vepër penale “ndërtim të paligjshëm” nga neni 244, paragrafi i Kodit Penal dhe kërkoj nga Ju, të nderuar gjykatës dhe anëtarë të Këshillit, që të miratoni aktvendim me të cilin do t’i shpallni fajtorë dhe do t’i dënoni në pajtueshmëri me Ligjin, ndërsa gjatë vendimit t’i merrni parasysh të gjitha rrethanat të cilat ndikojnë në lartësinë e dënimit. Kërkojmë edhe aplikim të nenit 244, paragrafi 2 i Kodit Penal, me të cilin parashihet konfiskim i ndërtimeve të patundshme të ndërtuara në mënyrë të paligjshme",- tha prokurorja.
 
Sipas PSP-së, të akuzuarit kanë filluar ndërtimet shumë më herët, para se të merrnin lejet për ndërtim.
 
"Çështja për të cilën diskutojmë në këtë lëndë është: kur të akuzuarit kanë filluar me realizimin e dëshirës së tyre për ndërtim të shtëpive në Zelenikovë. Nga dëshmitë e akuzës del se kjo ka ndodhur para se të sigurohen kushtet ligjore për fillim të ndërtimit, gjegjësisht para se të marrin leje për ndërtimin e objekteve",- thanë nga PSP.
 
Dragan Pavlloviq, Srgjan Pavlloviq dhe Zvezdan Pavlloviq janë të akuzuar për veprën “penale ndërtim pa leje”, që në periudhën qershor 2012 dhe janar 2016 në komunën e Zelenikovës, ku kanë kryer ndërtime të vikend-shtëpive në kundërshtim me dispozitat ligjore, pa lejen e organit kompetent. Vendimi gjyqësor për rastin e ashtuquajtur “Lëndina” do të shpallet të enjten, ndërsa nëse të akuzuarit shpallen fajtorë, atyre u rrezikohet t’u merren vikend-shtëpizat, të gjobiten ose të përballen me burgim deri në një vit. 
 
FLORIJE BELULI KAMBERI