Maqedoni

Enti Hidrometeorologjik: Të mërkurën temperaturat deri në 40 gradë

02.07.2019 16:01

Këtyre ditëve vendi është kapluar nga temperatura të larta të cilat të mërkurën do të arrijnë në 40 gradë.....

Këtyre ditëve vendi është kapluar nga temperatura të larta të cilat të mërkurën do të arrijnë në 40 gradë celsius dhe sipas sinoptikanëve do të shënohet faza e verdhë alerte. Në uljen e temperaturave nuk do të ndikojnë edhe reshjet e dobëta të shiut, thonë nga Enti Hidrometeorologjik.
 
 “Prej nesër deri të premten në orët e paradites do të ketë shi lokal të shoqëruar me bubullima, por megjithatë do të mbajë mot i nxehtë ditën e mërkurë dhe të enjte, ku temperaturat maksimale në shumë vende do të arrijnë mbi 35 gradë celsius, ndërsa në pjesën juglindore të vendit do të arrijnë deri në 40 gradë celsius. Këto temperatura i definojnë si fazë të verdhë alerte që ka kapluar vendin tonë, sidomos do ta përfshijë ditën e nesërme”,- deklaroi sinoptikania, Lençe Ristova.
 
Mjekët: Mos dilni nga shtëpitë prej orës 11 deri në 17
 
Për shkak të motit të nxehtë, mjekët rekomandojnë që qytetarët të konsumojnë më shumë lëngje dhe të vishen me rroba të lehta, ndërsa personat e moshuar të marrin rregullisht terapinë. 
 
“Duhet pasur kujdes, gjithçka që kanë nevojë qytetarët duhet ta kryejnë më herët, ndërsa të shmangin daljet mes orës 11 dhe 17. Sidomos të moshuarit duhet të kenë kujdes, sepse ata më shumë marrin barna për tension. Edhe diabetikët mund të përballen me probleme, pasi për shkak të nxehtësisë ulet sheqeri”,- thanë nga Ndihma e shpejtë.
 
Qytetarët: Dalim edhe në kulmin e vapës kur kemi obligime
 
Me gjithë rekomandimet e mjekëve, qytetarët thonë se e kanë të domosdoshme të dalin edhe në periudhën kur bën vapë për shkak të obligimeve që kanë.                                                                                                  
“Është shumë nxehtë, po duhet patjetër disa obligime t’i kryejmë, të shkojmë në mjek”,- u shpreh një qytetare. 
 
“Ne të rinjtë kalojmë disi në këtë kohë të nxehtë, por për më të moshuarit është shumë rëndë”,- theksoi një qytetare. 
 
Sipas sinoptikanëve, të shtunën do të jetë më freskët, ndërsa nga e diela përsëri kthehen temperaturat deri në 40 gradë celsius. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI