Maqedoni
Ambasadori rus në Beograd: Afrimi i RMV-së drejt NATO-s ndikon negativisht
02.07.2019 16:20
Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Harçenko, e sheh Maqedoninë e Veriut.....

Ambasadori i Rusisë në Serbi, Aleksandar Harçenko, e sheh Maqedoninë e Veriut të zhytur në probleme të brendshme që nga koha kur është më afër strukturave euroatlantike. Theksi i sfidave, sipas ambasadorit rus, vihet në problemet multietnike në RMV. Harçenko njëherit mendon se shqiptarët po i rritin kërkesat për jetesë, ndërsa pas tyre qëndron mbështetja e Tiranës, e që ka bazë juridike nga Marrëveshja e Ohrit. Ai po ashtu kritikon NATO-n për, siç shprehet ai, mosreagim së paku një herë, për idenë e Shqipërisë së Madhe.
“Qe nga fillimi i procesit të tërheqjes së Maqedonisë së Veriut në korniza të NATO-s, problemet etnike në atë vend janë përkeqësuar edhe më tepër. Shqiptarët në Maqedoni, me përkrahje nga Tirana, gjithnjë e më aktivë janë në kërkesat e tyre, të cilat dalin nga Marrëveshja e Ohrit. Pas shumë ngjarjeve të brendshme, kriza në Maqedoninë e Veriut është e ndërlidhur me perëndimin. Shpesh këto probleme futen ndër qilim e që sjellin pasoja negative”,- ka thënë ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandar Harçenko për median serbe “Sputnjik”.
Diplomati rus në këtë prononcim shton se depërtimi i Aleancës veri-atlantike në Ballkan është projekt i dështuar, sepse, sipas tij, nuk mundi t’i eliminojë problemet e sigurisë atje. Ai vë theksin te vendet e Ballkanit që kanë hyrë në NATO e që, sipas tij, nuk kanë pasur asnjë përparësi nga ajo.
“Atyre gjithmonë u është thënë se nëse hyni në NATO klima e investimeve do të jetë më e mirë dhe do të ketë efekt ekonomik, megjithatë nuk ka pasur kështu ndonjë ndryshim”,- është shprehur ambasadori rus. Ai madje thotë se anëtaret e reja në NATO si shpërblim do të marrin vetëm obligime të mëdha të cilave detyrimisht duhet t’u qëndrojnë pas.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
