Ekonomi
Bekteshi: Në zonën e lirë ekonomike të Tetovës, së shpejti hapet fabrika për prodhimin e qelqit
02.07.2019 16:45
Së shpejti do të nis me punë fabrika për prodhimin e qelqit në zonën e lirë ekonomike në Tetovë....

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, theksoi se ky investim publiko-privat kap shumën prej 9 milionë euro, ndërsa rikonfirmon mbështetjen e fuqishme të ekzekutivit për bizneset. Ai u zotua se do të vazhdojë për thellimin e bashkëpunimit me investitorë të jashtëm, duke iu ofruar kushtet dhe lehtësirat e duhura.
“Kjo dëshmon se ne si Qeveri në bashkëpunim shumë të afërt me drejtuesit e zonës ekonomike të Tetovës, bëmë përpjekje maksimale me të vetmin qëllim, që sa më shumë ta zhvillojmë këtë zonë ekonomike e cila do të ketë impakt jo vetëm në zhvillimin e komunës së Tetovës, por njëkohësisht do të ketë impakt edhe në zhvillimin e rajonit. Do të rrisim punësimin në këtë rajon, por njëkohësisht me fillimin e operimit të këtyre kompanive të cilat po ndërrohen, do të rrisim edhe eksportin nga kjo zonë”,- tha ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
Ndërtimi i objektit pritet të përfundojë në fund të këtij muaji, ndërkaq me prodhimtarinë e qelqit pritet të fillohet në tetor të këtij viti, theksuan nga stafi menaxhues.
“Në Zonën e Lirë ekonomike në Tetovë, nga ana e shoqërisë për prodhimtari dhe tregti ClassicFlex nga Shkupi, do të ndërtohet objekt me një sipërfaqe prej 9 mijë metra katrorë për prodhimin e qelqit të shkrirë dhe të petëzuar dhe llojeve të tjera speciale të qelqit që do të prodhohen këtu. Ndërtimi i objektit ka filluar në fund të vitit 2018 dhe deri në fund të muajit duhet të përfundojë ndërtimi i objektit”,- tha menaxheri i projektit, Goce Peshev.
Kompania në fjalë, e cila është me kapital vendor dhe holandez, do të punësojë rreth 300 persona.
ZEKIRJA MEXHITI
