Rashkovski: Do të padis parti, gazetarë dhe portale
Sekretari gjeneral i qeverisë, Dragi Rashkovski...

Sekretari gjeneral i qeverisë, Dragi Rashkovski, paralajmëron padi për shpifje dhe nënçmim për parti, qytetarë, gazetarë dhe internet portale, që publikuan lajme, siç thotë ai, të pavërteta, që kishin të bënin me rastin e tenderimit të M-NAV-it.
Në listën për të paditur janë: Kliment Çepunovski, Ivanka Vasilevska, Goran Momirovski, Lupço Zlatev, Lupço Palevski, Milenko Nedelkovski, Kristijan Jandriovski, Irena Radovanociqi, Partia e Majta dhe Valon Bela, ndërsa procedura arbitrare do të ngrihet ndaj portaleve “Kurir”, “Ekspres”, “Infomaks” dhe “Lider”. Rashkovski thotë se asnjë nga akuzuat lidhur me video përgjimin e publikuar nuk është e vërtetë, pasi nuk bëhet fjalë për asnjë kurdisje të tenderit për furnizimin e sistemit të ri për kontrollimin e fluturimeve.
Sipas Rashkovskit, marrëveshjen me Kompaninë italiane “Leonardo” e ka nënshkruar menaxhmenti i qeverisë së kaluar.
“Për këtë rast ekziston audio incizim dhe kisha dashur të prisni epilogun gjyqësor, sepse audio incizimi është dhënë për të bërë ekspertizë dhe për të parë se çfarë versione kanë dalë nëpër media nga takimi im dhe cila është e vërteta për këtë çështje. Më 31.06 2017, Zhivko Popovski, i ati i ish-ministrit, Nikolla Popovski, e nënshkruan vendimin për përzgjedhje të Kompanisë italiane “Leondardo”. Ky vendim është nga menaxhmenti i kaluar i nënshkruar nga i ati, ish funksionar i VMRO-DPMNE-së”,- tha sekretari gjeneral i Qeverisë, Dragi Rashkovski
Rashkovski njëherit u kërkoi falje të gjithë shteteve dhe nacionaliteteve që përmenden në audio incizimin e selektivisht i publikuar në opinion, ndërsa tha se nuk mendon të japë dorëheqje.
“Për dorëheqjen time do të duhet të prisni. Kur do të vijë akt gjykimi përfundimtar i gjykatës, atëherë do të mund të ulemi dhe sërish të bisedojmë”,- u shpreh sekretari gjeneral i Qeverisë, Dragi Rashkovski.
Rashkovski edhe njëherë konfirmoi incidentin e shtatorit të vitit të kaluar, kur radarët për ndjekjen e komunikacionit ajror ka mbetur gjysmë ore pa sinjal. Tha se për këtë çështje është biseduar në seancë të mbyllur të Qeverisë dhe për shkaqe sigurie Qeveria ka shkarkuar Kliment Çepunovskin - personi i cili Rashkovski pretendon se e ka incizuar bisedën në zyrën e tij. (Rexhep Qamili, TVM2)
