Kumanovë, treni del nga binarët në Çerkez

02.07.2019 17:12

Rreth orës 2:00 të mëngjesit të sotëm, në afërsi të Stacionit hekurudhor në Kumanovë....

Rreth orës 2:00 të mëngjesit të sotëm, në afërsi të Stacionit hekurudhor në Kumanovë, në lagjen Çerkez, treni i linjës Kumanovë- Shkup ka dalë nga binarët, kurse shumë nga vagonët kanë fluturuar në rrugë.

Bëhet fjalë për tren kargo, i cili po transportonte çelik të rëndë qindra tonësh. Fatmirësisht, përpos dëmit të madh material, viktima në njerëz nuk ka, kurse ekipet e hetuesisë, policisë, por edhe Komisioni i Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut, nga orët e mëngjesit gjenden në vendin e ngjarjes për të zbardhur  shkaqet  që sollën deri te kjo fatkeqësi e rëndë hekurudhore.

Banorët e lagjes Çerkez shprehin habinë për këtë fatkeqësi, duke theksuar se po të ndodhte ditën do të kishte pasoja më të mëdha, pasi që rruga ku kanë fluturuar  vagonët  është mjaft e frekuentuar.

“Kjo ngjarje ka ndodhur mbrëmë diku rreth orës 2 pas mesnate, është dëgjuar një zhurmë e madhe dhe krisma, nuk e dimë si erdhi deri te kjo fatkeqësi, por ndoshta ka qenë shpejt, por dyshojmë se edhe bunarët janë të ndërtuara moti kohë e ndoshta edhe janë kalbur”,- shtoi mes tjerash një banor i lagjes Çerkez.

“Kjo është një tragjedi e rëndë. Kishte mund me ndodh në rrugë ndonjë makinë në lëvizje apo ndonjë kalimtar rasti, këto binarë janë që nga koha e Titos, janë kalbur edhe lagështi ka pasur”,- shtoi mes tjerash një banor i lagjes Çerkez.

Gjatë pasdites, vendin e ngjarjes e vizitoi edhe një delegacion qeveritar i kryesuar nga zëvendëskryeministri, Koço Angjushev, dhe ministri për Transport dhe Lidhje, Georgi Sugarevski, si dhe delegacioni i Hekurudhave të Maqedonisë.

“Qeveria e RMV tërësisht qëndron për të ndihmuar në këtë fatkeqësi që ndodhi. Për fat të mirë nuk pati viktima në njerëz. Pas hetimit të tërësishëm, do të vihemi në funksion të largimit të vagonave dhe aftësimit të sërishëm të kësaj pjese të hekurudhës së dëmtuar”,- theksoi ministri i MTL-së, Georgi Sugarevski.

“Një nga shkaqet që duhet të theksohet e që është e rëndësishme dhe që po shihet në vendngjarje është parregullsia gjatë ngarkimit të mallrave, kjo është një nga elementet, kurse detajet tjera do t’i bëjmë të ditura porsa të përfundojë mbikëqyrja e ekipeve që merren me raste të jashtëzakonshme”,- theksoi Irfan Asani nga Hekurudhat e RMV-së.

Ekipi i SPB të Kumanovës po punon në zbardhjen e këtij aksidenti hekurudhor. (Fatlum Aqifi, TVM2)