Meta propozon që më 13 tetor të mbahen zgjedhje lokale, parlamentare e presidenciale
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, këmbëngul në dekretin e tij se zgjedhjet lokale duhet të mbahen më 13 tetor.....

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, këmbëngul në dekretin e tij se zgjedhjet lokale duhet të mbahen më 13 tetor. Ai njëherit si zgjidhje për dalje nga kriza politike propozon që më 13 tetor Shqipëria të shkojë në zgjedhje të përgjithshme parlamentare, por edhe për zgjedhjen e presidentit.
"Në 13 tetor, edhe zgjedhje të përgjithshme edhe vendore, dhe unë garoj për president. Kjo është rruga që e zgjidh këtë krizë që shqiptarët të mos shkojnë sërish të futen nëpër ambasada. Boll e zbrazëm Shqipërinë! Do ta bëjmë një vend europian, një vend ku askush nuk dhunon ligjin dhe institucionet. Kjo është zgjidhja që unë jap dhe nuk është turp as për mua nëse populli nuk më voton. Kjo është rruga e zgjidhjes së krizave. Nëse ka ndonjë propozim për kandidat për president Edi Rama, ta bëjë. Asnjë propozim që dhunon të drejtën nuk e pranoj. Të mos tallet askush me kushtetutën tonë! U tallën njëherë në 2008",- deklaroi presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Por, Meta, për dallim nga liderët opozitarë, thotë se rruga e zgjidhjes nuk është te kërkesa “Rama ik”, siç e thonë Basha, Kryemadhi, Berisha dhe populli opozitar, por te “Rama reflekto”, apo “Edi kthjellu”.
Me gjithë kundërshtimin e presidentit Meta dhe opozitës, zgjedhjet lokale në Shqipëri u mbajtën më 30 qershor dhe të gjitha 61 bashkitë i fitoi Partia Socialiste. (Gyltene Sinani, TVM2)
