Merkel: Për emërimet në BE, të gjithë duhet të bëjnë kompromis

02.07.2019 20:05

Mospajtime politike edhe brenda BE-së derisa liderët evropian...

Mospajtime politike edhe brenda BE-së derisa liderët evropian po vazhdojnë konsultimet maratonike, për emërimin e udhëheqësve të institucioneve kryesore të bllokut 28 anëtarësh.

Mospajtime të thella po i shoqërojnë këto diskutime, pjesërisht për shkak të rivalitetit të Francës dhe Gjermanisë për emrat e rinj, dhe po ashtu për shkak të mospajtimeve brenda grupeve politike që janë të përfaqësuara në parlamentin evropian.

Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel deklaroi, se të gjithë duhet të bëjnë kompromise gjatë procesit të emërimit të udhëheqësve të rinj të institucioneve të BE-së.

“Të gjithë duhet ta kuptojnë, se duhet të zhvendosen pak nga pozicionet. Pastaj do të ketë një mundësi për të arritur marrëveshje”, tha Merkel.

Liderët e BE-së, nuk arritën të zgjidhnin emrin e kandidatit për të kryesuar Komisionin Evropian, organin kryesor ekzekutiv të BE-së, pas diskutimeve që kanë filluar të dielën në Bruksel.

Disa përfaqësues të vendeve anëtare kanë thënë se një vendim mund të merret gjatë ditës së martë.