Anëtarësimi në NATO, Misiroli: Përgatitje përkatse për sfidat e reja

02.07.2019 20:44

Në vazhdën e ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut...

Në vazhdën e ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Organizatën e Traktatit të Atlamtikut Verior, NATO i ofron vendit ndihmë profesionale për t’u përballur me sfidat e reja të sigurisë. Zëvendës-sekretari i përgjithshëm i NATO-s për sfida të reja të sigurisë, Antonio Misiroli, gjatë takimit me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi, ka deklaruar se Maqedonia është në kilometrin e saj të fundit në maratonën për anëtarësim në NATO prandaj duhet të vazhdojë me reformat dhe përgatitjet për në NATO. 

“Zotëri Misiroli shprehu kënaqësi nga arritjet e deritanishme të Republikës së Maqedonisë së Veriut në planin e integrimit euroatlantik dhe poentoi se kilometri i fundit i maratonës është veç më i filluar dhe shihet rezultati final – anëtarësimi i plotfuqishëm në Aleancë deri në fund të këtij viti. E gëzon fakti që institucionet shtetërore tregojnë gatishmëri të madhe që të përgjigjen në mënyrë përkatëse ndaj sfidave të reja të sigurisë dhe kanosjeve hibride, si në sferën ushtarake dhe të mbrojtjes, ashtu edhe në sektorin civil dhe menaxhimin e krizave.’- thuhet në kumtesën e Kuvendit.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka falënderuar NATO-n dhe vendet e saj anëtare për mbështejne që I japin vendit në këto 18 vite.

“Sajber mbrojtja sjell me vete edhe ndryshime përkatëse të rregullores ligjore dhe përshtatje të rregullativës ligjore në këtë sferë, si edhe përforcim real dhe përshtatje edhe të vetë infrastrukturës elektronike, digjitale dhe teknologjike të vetë sistemeve të sigurisë, në mbrojtje, në ushtri, në institucionet shtetërore, sektorin e kundërzbulimit dhe sigurisë nacionale.”- konsideron Xhaferi.

Gjatë qëndrimit të tij në Shkup, Misiroli u takua edhe me shefin e diplomacisë Nikolla Dimitrov.

Ndryshe, protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, deri tani e kanë ratifikuar 18 parlamente të vendeve të anëtare ndërsa finalizimi i procesit për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti. (Shpëtim Nuredini, TVM2)