Botë

Libi, 40 të vrarë nga një sulm ajror

03.07.2019 10:30

Së paku 40 njerëz u vranë nga një sulm ajror që goditi një qendër të ndalimit të migrantëve në Libi, njoftuan zyrtarët....

Rreth 80 të tjerë u raportuan të plagosur në shpërthimin që ndodhi në një objekt në periferi të kryeqytetit Tripoli. Shumica e të vrarëve raportohet të jenë migrantë afrikanë. Qeveria me bazë në Tripoli e fajësoi të ashtuquajturën Ushtri Kombëtare Libiane, të udhëhequr nga gjenerali Khalifa Haftar, për sulmin.
 
Qeveria kërkoi nga Kombet e Bashkuara të krijojë një komision faktmbledhës për të hetuar sulmin. Gjenerali Haftar po lufton qeverinë në Tripoli, të mbështetur ndërkombëtarisht, qysh në muajin prill.  Agjencia e OKB-së për refugjatë tha se është "jashtëzakonisht e shqetësuar" nga raportet për sulm në qendrën e migrantëve.
 
Në vitet e fundit, Libia ka qenë një rrugë kryesore për migrantët që përpiqen të arrijnë në Evropë. Ky vend është shkatërruar nga dhuna dhe ndarja qëkur udhëheqësi i tij veteran, Muammar Gaddafi, është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011.