Maqedoni
Samiti Poznan - Ballkani Perëndimor, në qendër të vëmendjes perspektiva evropiane
03.07.2019 15:26
Nxitja e bashkëpunimit në mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor...

Nxitja e bashkëpunimit në mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe perspektiva e tyre evropiane, janë në fokus të samitit treditor në Poznan të Polonisë. Në samitin ku marrin pjesë shefat e qeverive, ministrave, përfaqësuesve të organizatave joqeveritare të gjashtë vendeve ballkanike dhe të disa vendeve të Evropës Perëndimore, do të bisedohet për projektet e përbashkëta infrastrukturore, për bashkëpunimin shkencor, njohjen reciproke të diplomave, shkëmbimin e të rinjve dhe lehtësimin e tregtisë, siç janë kalimet e përbashkëta doganore.
Pritet vendet anëtare të Bashkimit Evropian, pjesëmarrës në Samit, siç janë Gjermania, Austria, Italia, Polonia dhe Bullgaria të tentojnë ta nxisin bashkëpunimin midis Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, kundrejt konflikteve dhe çështjeve të pazgjidhura që ekzistojnë midis disa shteteve. Në këtë samit pritet të marrë pjesë edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel. Kancelarja Merkel, disa ditë para fillimit të samitit, vlerësoi se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka perspektivë evropiane, por ekzistojnë edhe shumë sfida të tjera që duhet të tejkalohen. Megjithatë, sipas saj, në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka shembuj pozitivë të zgjidhjes së konflikteve, siç janë rasti me Maqedoninë dhe Greqinë.
“Kontesti ka zgjatur me vite dhe në bazë të inkurajimit politik të kryeministrave të Maqedonisë së Veriut dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, konflikti është zgjidhur me sukses, ashtu që hapet perspektivë për fillimin e negociatave inkuadruese edhe për përfshirjen në NATO. Shembujt e këtillë pozitivë do të duhet të na inkurajojnë që t’i zgjedhim problemet edhe në Bosnjë e Hercegovinë edhe midis Serbisë dhe Kosovës”,- konsideron Merkel.
Në Samitin në Poznanj do të marrë pjesë edhe kryeministri, Zoran Zaev. Sipas paralajmërimeve të organizatorëve, në fund të tubimit të premten, është paraparë konferencë e përbashkët për shtyp të kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe kryeministrave të Polonisë, Mateush Moravijecki, të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, dhe të Bullgarisë, Bojko Borisov.
ERSAN PAJAZITI
