Maqedoni

NATO ndihmë RMV-së, digjitalizohet sistemi për menaxhim me kriza

03.07.2019 16:26

Me një projekt të dhuruar nga NATO, Maqedonia e Veriut po digjitalizon sistemin për menaxhim me kriza...

Me një projekt të dhuruar nga NATO, Maqedonia e Veriut po digjitalizon sistemin për menaxhim me kriza, që do të kontribuojë për menaxhim më të mirë me fatkeqësitë elementare. Sistemi do të jetë plotësisht operativ nga fundi i vitit të ardhshëm, bëjnë të ditur zyrtarët.
 
“Këto aktivitete janë në interes të civilëve. Projekti i NATO-s për shkencë, paqe dhe siguri ka për qëllim bashkëpunimin për rastet urgjente, përfshirë terrorizmin, mbrojtjen sajber dhe përballjen me fatkeqësi”,- tha zëvendëssekretari i NATO-s për sfida të reja të sigurisë, Antonio Misiroli.
 
“Si vend anëtar i 30 i ardhshëm i aleancës jemi seriozë që të jemi anëtare e dinjitetshme me atë që me ndihmën dhe përkrahjen tuaj me përgjegjësi vendosemi në hap me sistemet më bashkëkohore të sigurisë”,- tha kryeministri i RVM-së, Zoran Zaev.
 
Drejtori i Qendrës për ballafaqim me kriza, Agrin Buxhaku, sqaron se bëhet fjalë për projekt të NATO-s dhe ShBA-ve, që do të përfshijë të gjitha institucionet që kanë për detyrë të intervenojnë në raste fatkeqësish. 
 
“Digjitalizimi i sistemit për menaxhim me kriza është një moment shumë i rëndësishëm, ky projekt është komplet i dhuruar nga NATO dhe ne si qendër së bashku me institucionet tjera do ta aplikojmë deri në fund të vitit të ardhshëm, që do të thotë digjitalizim i plotë në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, qeverisë lokale dhe qendrore, të gjithë do të kenë pasqyrë se çfarë ndodh në një moment kur të ketë një fatkeqësi që vazhdimisht ka”,- tha drejtori i QBK-së, Agron Buxhaku.
 
Me kërkesë të NATO-s, universiteti i Masaçusecit do të ndihmojë institucionet e Maqedonisë së Veriut në implementimin e projektit për digjitalizim të sistemit për menaxhim me kriza. 
 
GYLTENE SINANI