Përzgjedhja e figurave të BE, Zaev: Miq të dëshmuar do të na ndihmojnë
Përzgjedhja e anëtarëve të rinj, si presidenti i Komisionit Evropian, presidenti i ri i Këshillit Evropian dhe politikës së jashtme të BE-së...

Përzgjedhja e anëtarëve të rinj, si presidenti i Komisionit Evropian, presidenti i ri i Këshillit Evropian dhe politikës së jashtme të BE-së dhe institucionet tjera kryesore evropiane, është përcjellë me shumë vëmendje edhe në politikën në vend, e sidomos duhet të ndiqet vendimi i tyre që vendit tonë në muajin tetor t’i ndahet data për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Europian.
Edhe për VMRO-DPMNE-në, por edhe për kryeministrin Zaev, të gjitha këto figura të përzgjedhura janë miq të dëshmuar të Maqedonisë dhe këtë qëndrim besojnë se do ta mbajnë deri sa t’i ndahet data vendit tonë.
“Kryetarja e re e Komisionit Europian është një mike e dëshmuar e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila deri më tani ka mbajtur postin e ministrit të mbrojtjes të mikes sonë, Gjermanisë, ajo çdo herë ka qenë këtu për të na ndihmuar, ndërsa më e shfaqur ka qenë në përpjekjet tonë për anëtarësim në NATO. Te ajo kam parë si e përkrah fuqishëm procesin e zgjerimit, si në NATO ashtu edhe në BE, dhe tek ajo shoh si një kryetare e Komisionit Europian që është mike shumë e afërt e vendit tonë, deri më tani kam pasur takime edhe me kryeministrin belg dhe përfaqësuesit spanjollë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
GJORÇEV: QEVERIA PENGON RRUGËN EVROPIANE
“Anëtarët kryesorë të Unionit Europian kanë një përgjegjësi tek çështjet europiane, ajo është që njerëzit të cilët me vite janë aktivë në krye të politikave europiane, ne shpresojmë dhe përcjellim porosinë tonë në bashkëpunim të hapur, dora jonë është e shtrirë në drejtim të bashkëpunimit dhe shpresojmë dhe duam që Maqedoninë ta shohim në Unionin Europian. Por, problemi këtu është që Qeveria e kryeministrit, Zoran Zaev, me praktikat e saj dhe me skandalet që po e shoqërojnë, nuk po mund të përcjellë deri tek qytetarët perspektivë europiane”,- u shpreh sekretari i VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev.
Kryeministri Zaev edhe njëherë sugjeroi të gjitha anëtaret e BE-së, e sidomos Angela Merkelin dhe Makronin, që RMV nuk po kërkon dhe nuk ka kërkuar anëtarësim në BE, por po kërkon që të shpërblehet vendi për punët e bëra dhe të marrë datën për fillimin e bisedimeve.
Kurse nga VMRO-DPMNE vazhdojnë të mbesin në qëndrimin e tyre se Maqedonia nuk po shënon kurrfarë progresi në rrugën euroatlantike, por ajo që mbetet edhe më trishtuese, sipas tyre, është se kryeministri Zaev dhe kjo Qeveri kanë vrarë shpresën e qytetarëve të vendit për anëtarësim në BE. (Fitim Kryeziu, TVM2)
