ShNDP "Shutkë", Janakievski në grevë urie
Ish ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakievski....

Ish ministri i transportit dhe lidhjeve, Mile Janakievski, nga vikendi mohon ushqimin e burgut, vërtetuan nga Drejtoria e burgut në Shutkë, ku dhe është në paraburgim nga dita e premte.
"Gjendja shëndetësore dhe psikike e Janakievskit është stabile, por nuk e dimë nëse ish ministri ka vazhduar bojkotin me uri ose ushqehet me ata që ia sjellin prej në shtëpi",- njoftojnë nga burgu i Shutkës. Megjithatë, sipas informatave të burgut, të hënën Janakievski nuk e ka refuzuar pakon me ushqim, ujë dhe veshje të sjella nga jashtë, ndërsa gjatë ditës së djeshme e ka refuzuar të njejtën.
MILLANOV: REFUZON USHQIMET PËR SHKAK TË PARABURGIMIT
Sipas njohurive të avokatit të tij mbrojtës, Elenko Millanov, Janakievski është në grevë urie dhe i refuzon edhe ushqimet që i sillen nga jashtë. Sipas tij, një vendim të tillë ai e ka marrë për shkak të vendimit të gjykatës që t’i shqiptohet masa e paraburgimit për akuzën më të re të Prokurorisë Publike, për shitje të tokës shtetërore.
“Sa kam njohuri prej kolegëve që e kanë vizituar Janakievskin në paraburgim, i njëjti ka filluar me grevë urie, kështu që nuk pranon jo vetëm ushqim të burgut, por edhe ushqim nga jashtë. E gjithë kjo është arsyeja se ndaj tij ekzistojnë dy masa, paraburgim dhe arrest shtëpiak, të cilat janë caktuar për vepër penale me kualifikim më të rëndë, nëse nuk i shkel, atëherë nuk ka arsye se pse i njëjti të jetë në paraburgim. Nuk ka nevojë, pasi ai është i kapshëm dhe në dispozicion për gjykatën dhe prokurorinë në çdo kohë”,- deklaroi avokati mbrojtës, Elenko Millanov.
Para vendimit për paraburgim, Janakievskit i ishte shqiptuar masa e arrestit shtëpiak për akuzën që ka të bëjë me ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvend.
Të hënën seanca gjyqësore për “Shuplakat në Qendër” u anuluar për arsye se policia e ka kërkuar Janakievskin në adresën shtëpiake për të sjellë në gjykatë edhe pse ai nga e premtja është në paraburgim në burgun e Shutkës.
Për nesër është caktuar seancë gjyqësore për rrënimin e “Kosmosit”, ku i akuzuar është edhe Janakievski dhe pritet që i njëjti të sillet në seancë gjyqësore nga Shutka. (Florije Beluli Kamberi, TVM2)
