Gjendja e hekurudhave, Stoillkovski: Qeveria Nuk ka interes për hekurudhat

03.07.2019 18:15

VMRO-DPMNE drejton kritika në adresë të LSDM-së për situatën aktuale...

VMRO-DPMNE drejton kritika në adresë të LSDM-së për situatën aktuale, siç shprehen ata, të pasigurt të hekurudhave në vend.

Zëdhënësi, Naum Stoillkovski, duke përmendur aksidentin e djeshëm të trenin transportues në Çerkez të Kumanovës, tha se si pasojë e gjendjes katastrofike të trafikut hekurudhor po shtohen fatkeqësitë.

Stoillkovski akuzoi qeverinë aktuale për mosinvestim në hekurudha.

“Arsyet për situatën katastrofike të hekurudhave qëndrojnë në mosinteresimin e plotë të qeverisë në këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë. Nuk ka projekte të reja, nuk ka investime në këtë sektor për mirëmbajtjen e shinave hekurudhore e aq më pak të trenave”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO – DPMNE-së, Naum Stoillkovski.

LSDM: VMRO PËR 11 VITE INJOROI HEKURUDHAT

Nga LSDM kundërpërgjigjen se pikërisht VMRO për 11 vite nuk arriti të ndërtojë asnjë metër rrjet hekurudhor.

“11 vite VMRO injoroi transportin hekurudhor, andaj s’kanë kredibilitet të flasin për hekurudhat dhe aksidentet t’i keqpërdorë për qëllime politike ditore”,- thonë nga LSDM.

Socialdemokratët thonë se për dy vite në pushtet kanë ndërtuar më shumë rrjete hekurudhore, rikonstruar 10 stacione, ndërkaq me 2.5 milion euro do të rikonstruojnë stacionin hekurudhor në Shkup. (Meral Ismaili, TVM2)