Afera për sistemin e radarit për M-Nav, Zaev: Nuk shoh arrogancë te Rashkovski

03.07.2019 18:22

Kryeministri, Zoran Zaev, nuk sheh arrogancë në prononcimin e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski...

Kryeministri, Zoran Zaev, nuk sheh arrogancë në prononcimin e sekretarit të përgjithshëm të Qeverisë, Dragi Rashkovski, dhe nuk planifikon ta shkarkojë.

Lidhur me aferën për rregullim tenderi për furnizim me pajisje për sistemin e radarit për M-Nav, Zaev sqaroi se biseda në zyrën e Rashkovskit të cilën e publikuan ditë më parë mediat, nuk ka qenë për rregullim tenderi, por për vazhdimin e procedurës për tenderin e vendosur vite më herët. Rashkovski, sipas tij, ka qenë i autorizuar të përshpejtojë procedurën.

“Unë nuk shoh arrogancë në njeriun që publikisht kërkon falje deri në qiell. Bëhet fjalë për tender të përfunduar në vitin 2016, por nuk janë bindur institucionet ta nënshkruajnë për zbatimin e tij. Gjithçka ishte publike, e shpjeguar në detaje dhe unë besoj se do të ketë hetime dhe procedura penale. Ne jemi qeveri transparente dhe duam qasje kritike të mediave, por ju nuk mund ta bëni dikë sallatë kur të doni dhe si të doni, si person fizik. Qeveria nuk do të ngrejë padi, puna jonë nuk është të padisë gazetarët dhe mediat, por secili individ si person fizik ka të drejtë të mbrojë dinjitetin e tij”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

VMRO-DPMNE: RASHKOVSKI DUHET TË JAPË DORËHEQJEN E TIJ

VMRO-DPMNE, ndërkohë, ka kërkuar sërish dorëheqjen e Rashkovskit. Sipas tyre, LSDM është kthyer në sinonim të krimit, korrupsionit, kërcënim ndaj opozitës dhe ndaj gazetarëve.

“Dragi Rashkovski është kapur në skandal të rëndë prej 7 milionë euro dhe për këtë duhet përgjigjur. Rashkovski duhet të japë dorëheqjen e tij të parevokueshme menjëherë dhe në qoftë se Maqedonia do të ishte shtet ligjor, deri më tani Rashkovski do të ishte sjellë para organeve të drejtësisë dhe do të përgjigjej”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së. (Naim Ramadani, TVM2)